Pritja e gjatë për fansat e “Fauda” po shkon drejt fundit. Sezoni i pestë i serialit do të publikohet në Netflix në mbarë botën më 8 shtator 2026, sipas What’s on Netflix, ndërsa data është konfirmuar edhe nga bashkëkrijuesi dhe protagonisti Lior Raz.
Seriali, i krijuar nga Raz dhe Avi Issacharoff, u shfaq për herë të parë në vitin 2015 dhe u kthye shpejt në një nga prodhimet izraelite me suksesin më të madh ndërkombëtar. Historia ndjek Doron Kavillio dhe një njësi izraelite që operon në misione kundër terrorizmit, ndërsa vetë krijuesit janë mbështetur edhe në përvojat e tyre personale.
Sezoni i katërt përfundoi në vitin 2022 me një kthesё të fortë, duke lënë të paqartë fatin e Doronit dhe pjesëtarëve të ekipit të tij. Që prej atëherë, publiku jashtë Izraelit ka pritur vazhdimin.
Sezoni i pestë përmban 11 episode dhe është transmetuar tashmë në Izrael, ku premiera u dha më 18 maj 2026 në rrjetin Yes. Në shtator ai do të bëhet i disponueshëm për audiencën ndërkombëtare përmes Netflix.
Një skenar që u hodh në kosh pas 7 tetorit
Pjesa më interesante e historisë së sezonit të ri lidhet me atë që ndodhi jashtë ekranit.
Raz dhe Issacharoff kishin përfunduar një skenar për sezonin e pestë që në vitin 2023. Por sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor ndryshuan gjithçka. Sipas raportimeve, krijuesit vendosën ta braktisnin plotësisht skenarin që kishin përgatitur dhe ta shkruanin sezonin nga e para.
Ngjarjet e 7 tetorit, lufta që pasoi dhe trauma e përjetuar në Izrael u bënë pjesë e kontekstit mbi të cilin u ndërtua historia e re.
Vetë Lior Raz e ka përshkruar atë si një “sezon gjaku dhe hakmarrjeje”, të frymëzuar në një masë të madhe nga histori reale.
Kjo pritet ta bëjë sezonin e pestë më të rëndë dhe më personal se paraardhësit e tij. “Fauda” gjithmonë e ka ndërtuar tensionin pikërisht në kufirin mes realitetit dhe trillimit, por këtë herë krijuesit e tij janë përballur me një realitet që ndryshoi edhe historinë që kishin planifikuar të tregonin.
Takimi me Doronin është më 8 shtator.





