Pritej që fillimi i shtatorit të ndërronte “lëkurën” e gjithë qeverisë Rama. Gjatë gushtit u raportua se Kryeministri u kishte kërkuar dorëheqjen të gjithë ministrave. Të parët që do “degdiseshin” për në askund, perflitej të ishin “beniaminët” e Belinda Ballukut në qeveri: Karakaçi, Malaj, Lamallari nuk do kishin më vend.
Por nuk ndodhi kështu. Qeveria vazhdoi. Asambleja e socialistëve nuk i shkarkoi. Nga ana tjetër, dy “dorëheqje” bombastike ndodhën.
E para, ministrja e Shëndetësisë, dha dorëheqjen me falënderimin e zakonshëm. I dyti, sot: Besfort Lamallari jep dorëheqjen nga Ministria e Brendshme. Ervin Demo betohet ministër i ri. Çështjet Vendore “shkrihen” me Brendshmen.
Tri lajme brenda një dite, të gjitha të paketuara nga vetë Kryeministri si diçka krejt e natyrshme, pothuajse rutinë stadiumi.
Pra jo pastrimi i madh që u paralajmërua gjatë gushtit, me listë emrash dhe fajtorë të gatshëm. Vetëm një lëvizje, e zgjedhur me kujdes, e veshur me gjuhën më të butë të mundshme: transferim, jo largim. Kështu e quajti vetë Rama: “lëvizje në skuadrën që është në fushë”. Lamallari, tha ai, “do të kalojë në stolin tim, së bashku me mua dhe ekipin në Kryeministri”.
“Nuk është e re”, thotë Rama — por atëherë pse bëhet sot?
Për shkrirjen e Çështjeve Vendore brenda Ministrisë së Brendshme, Kryeministri u përpoq të mos e paraqiste si risi: “Diçka që nuk është e re për historikun e ministrisë, por pasi ka marrë një formë të plotë duke qenë veç, do të bëhet kalimi i një pjese të strukturës”. Fjali e gjatë, e ndërtuar posaçërisht që të mos duket si rikthim mbrapa, edhe pse pikërisht kaq është: një strukturë që dikur u nda si e veçantë, sot rikthehet aty ku ishte, sepse — sipas gjuhës zyrtare — “ka marrë formë të plotë”.
Cila formë e plotë, s’e mësojmë. E plotë për çfarë, s’e thonë as këtë. Ajo çka dimë me siguri: Ervin Demo, ministri i ri i Brendshëm, merr në dorë njëkohësisht policinë, kufijtë, sigurinë publike dhe tani edhe çështjet vendore — pikërisht në ditët kur reforma territoriale po prodhon përplasje të hapura nëpër bashki dhe kur çdo mbrëmje bulevardi bëhet skenë proteste.
Barra e re bie mbi kokën e një ministri që sapo mori detyrën.





