Një mural i realizuar nga artisti shqiptar Bledar Çakalli, ku Aleksandri i Madh përfshihet në një kompozim kushtuar historisë kombëtare, ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe po shkakton debat në rrjetet sociale dhe në media të huaja.
Faqja ndërkombëtare “Archaeo – Histories” publikoi më 12 shtator fotografinë e muralit, duke e cilësuar paraqitjen e Aleksandrit të Madh brenda narrativës kombëtare shqiptare si një interpretim që bie ndesh me leximin historik që e vendos sundimtarin e lashtë në kontekstin maqedonas dhe grek. Postimi ka marrë mijëra shikime dhe ka sjellë reagime të forta, përfshirë komente nga përdorues grekë që e konsiderojnë veprën provokim.
Debati është përhapur edhe në mediat e rajonit. Një media në Maqedoninë e Veriut shkruan se në Shqipëri ka tërhequr vëmendje paraqitja e Aleksandrit III të Maqedonisë në një mural me mbishkrimin “Historia e Kombit”, krahas emërtimit në shqip “Aleksandri i Madh”.
Në qendër të debatit është Bledar Çakalli, artist i njohur tashmë për muralet me tematikë historike dhe kombëtare. Prej vitesh ai ka realizuar vepra të tilla në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe jashtë trojeve shqiptare.
Në krijimtarinë e tij janë përfshirë figura si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, At Gjergj Fishta, Nënë Tereza, Azem e Shote Galica dhe figura të UÇK-së. Çakalli e ka shpjeguar më herët publikisht se muralet e tij synojnë të rikthejnë historinë në hapësirat publike dhe t’ua bëjnë atë më të afërt brezave të rinj.
Një prej projekteve të tij më të mëdha është murali rreth 500 metra në Rubik, ndërsa ka realizuar edhe projektin kushtuar 40 firmëtarëve të Pavarësisë në Vlorë.
Për Çakallin, i cili e ka ndërtuar një pjesë të aktivitetit të tij artistik pikërisht mbi rikthimin e figurave dhe episodeve historike në hapësirën publike, polemika duket se ka prodhuar efektin e kundërt nga heshtja: murali i tij tashmë po diskutohet përtej Shqipërisë.







