Kuvendi shkruan ligje, i voton dhe ua kërkon institucioneve e qytetarëve t’i zbatojnë. Por një urdhër i firmosur nga vetë Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tregon se kur rregullat duhet të zbatohen brenda shtëpisë, gjërat mund të ngatërrohen.
Bëhet fjalë për Urdhrin nr. 52, të datës 4 shtator, “Për delegimin e përfaqësimit ligjor të Kuvendit”, të botuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Një akt që në pamje të parë duket krejt administrativ: Peleshi ia delegon Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Legjislativ kompetencën për të përfaqësuar Kuvendin në proceset gjyqësore.
Vetëm se urdhri nuk ndalet aty. Drejtori që merr kompetencën nuk është domosdoshmërisht ai që do ta ushtrojë. Atij i jepet mundësia të autorizojë një person tjetër për të përfaqësuar Kuvendin në gjykatë. Me pak fjalë, Peleshi ia delegon Drejtorit dhe Drejtori ia kalon më tej një të treti.
Pikërisht këtu Urdhri nr. 52 përplaset me Kodin e Procedurave Administrative, të cilin vetë Kuvendi e ka miratuar dhe që, për më tepër, urdhri e citon si bazë ligjore.
Neni 28 i Kodit nuk lë shumë hapësirë. Organi që ka marrë një kompetencë me delegim ndalohet ta nëndelegojë atë te një organ i tretë. Ligjvënësi është treguar aq i prerë, sa në pikën pasuese ka përcaktuar se akti që i jep të deleguarit të drejtën për të nëndeleguar është i pavlefshëm.

Pra, Kuvendi ka arritur të mbështesë një urdhër te një Kod dhe, brenda të njëjtit urdhër, të parashikojë një mekanizëm që Kodi e ndalon.
Kjo nuk është thjesht një histori zyrash. Personi që merr autorizimin mund të dalë në gjykatë dhe të flasë në emër të Kuvendit, përfshirë në procese ku institucioni duhet të mbrojë ligjet e veta. Kryetari firmos, Drejtori delegohet, ama një i tretë autorizohet qё Kuvendi tё përfaqësohet.
Do të kishte qenë një procedurë administrative pa shumë interes, sikur në mes të saj të mos qëndronte vetë institucioni që prodhon ligjet.
Ky akt i fundit tregon edhe njё herё se, përpara se Kuvendi të dalë në gjykatë për të mbrojtur ligjet që ka miratuar, ndoshta duhet t’i lexojë edhe një herë.

Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





