Italia po përgatitet të vendosë me ligj një numër maksimal nxënësish të huaj në çdo klasë dhe të ndalojë burkën dhe nikabin në shkolla, në kuadër të një pakete të re masash të paralajmëruar nga kryeministrja Giorgia Meloni.
Por deklarata që ka ndezur më shumë debatin ishte ajo për raportin mes fëmijëve italianë dhe të huaj në klasa.
“Nuk mund të ndodhë që në një klasë italiane, fëmijët që përfundojnë duke u ndier të shtyrë në një cep të jenë fëmijët italianë, sepse janë bërë pakicë. Kjo nuk mund të lejohet”, tha Meloni gjatë një aktiviteti të Gioventù Nazionale, organizata rinore e partisë së saj Fratelli d’Italia.
Paketa që pritet t’i paraqitet së shpejti qeverisë përmban tri masa kryesore: një kufi ligjor për numrin e nxënësve të huaj në çdo klasë, ndalimin e burkës dhe nikabit në shkolla dhe detyrimin për të mësuar italishten për prindërit e nxënësve të huaj që kanë “vështirësi serioze integrimi” në sistemin shkollor.
Meloni nuk bëri të ditur se cili do të jetë tavani i ri për nxënësit e huaj. Italia, në fakt, ka prej vitit 2010 një udhëzim që parashikon një kufi prej 30% për nxënësit joitalianë në një klasë, por ai shpesh nuk është zbatuar për shkak të realitetit demografik të zonave të ndryshme, veçanërisht në periferitë e qyteteve.
Tani qeveria kërkon që kufizimi të marrë formën e një norme ligjore.
Në shkollat italiane mësojnë rreth 930 mijë nxënës joitalianë, ose 11.6% e numrit të përgjithshëm. Përqendrimi më i madh është në Lombardi, ndërsa Milano, Roma dhe Torino janë qytetet me numrin më të lartë të nxënësve të huaj.
Vetë drejtuesit e shkollave kanë ngritur pikëpyetje se si mund të zbatohet praktikisht tavani. Antonello Giannelli, president i Shoqatës Kombëtare të Drejtuesve të Shkollave, tha se ideja mund të ketë një arsyetim nga pikëpamja didaktike, por problemi lind në lagjet ku pjesa më e madhe e fëmijëve janë të huaj.
“Shkolla duhet të pranojë regjistrimet e fëmijëve të lagjes. Nëse në atë zonë shumica janë të huaj, çfarë bëjmë, i dërgojmë diku tjetër?”, tha ai, duke kujtuar se pikërisht për këtë arsye kufiri ekzistues prej 30% nuk ka mundur të zbatohet.
Pjesa tjetër e paketës prek një çështje tjetër të ndjeshme: mbulimin e fytyrës në shkollë.
Meloni përmendi konkretisht burkën dhe nikabin. Burka mbulon të gjithë trupin dhe fytyrën, përfshirë sytë me një rrjetë, ndërsa nikabi e lë të dukshme vetëm zonën e syve. Hixhabi, ndryshe prej tyre, mbulon flokët dhe qafën, por jo fytyrën.
Italia nuk do të ishte e para në Europë që vendos kufizime të tilla. Franca dhe Belgjika ndalojnë prej vitesh mbulimin e plotë të fytyrës në hapësirat publike, ndërsa kufizime të formave të ndryshme ekzistojnë edhe në Austri, Danimarkë, Holandë, Zvicër dhe vende të tjera europiane.
Propozimi ka hapur menjëherë edhe debat juridik. Profesori i së drejtës kushtetuese Salvatore Curreri ka kujtuar se neni 34 i Kushtetutës italiane përcakton se “shkolla është e hapur për të gjithë”. Sipas tij, nëse kufizimi do të detyronte fëmijët dhe familjet e tyre të shkonin në shkolla larg vendbanimit, masa mund të konsiderohej e tepruar dhe të përplasej me vetë qëllimin e integrimit.
Debati vjen ndërsa Italia i afrohet zgjedhjeve të vitit të ardhshëm dhe Meloni përballet me konkurrencë në të djathtë nga ish-gjenerali Roberto Vannacci, i cili kërkon politika edhe më të ashpra ndaj emigracionit. Opozita italiane e ka akuzuar kryeministren se po e ndjek Vannaccin në këto tema, ndërsa qeveria e paraqet paketën si një masë për integrimin dhe shmangien e klasave me përqendrim shumë të lartë të nxënësve të huaj.





