Dy suedeze të bukura, pesë djem shqiptarë dhe dy net në Tiranë. Historia, sipas kallëzimit të depozituar në polici, ka një skenar që të paktën të detyron të ngresh vetullat: natën e parë vajzat ftuan tre djem të sapo njohur në apartamentin e tyre Airbnb dhe pretendojnë se u abuzuan seksualisht. Natën pasuese dolën sërish, njohën dy djem të tjerë, i ftuan po në shtëpi dhe pretendojnë se u përdhunuan përsëri. Tre ditë më vonë, pasi kishin shkuar në Durrës, i denoncuan të pestë.
Policia po heton dhe deri tani nuk rezulton të ketë një përfundim që provon as akuzën, as të kundërtën. Suedezet i ftuan djemtë në mesnatë për të pirë alkool në shtëpinë e tyre me qira. Për çfarë mund të flisnin dy suedezet e bukura dhe djelmoshat e “etur” shqiptarë? Për çmimet Nobel që ndahen në Akademinë Suedeze, jo. As për politikat e emigracionit në Stokholm. Të gjithë mund ta marrim me mend natyrën e një njohjeje të tillë. Por kjo nuk do të thotë kurrsesi se një ftesë në shtëpi, alkooli apo edhe dëshira për seks janë pëlqim për marrëdhënie seksuale me dhunë.
Ajo që e bën rastin të pazakontë është vijimi. Nëse versioni i kallëzimit është pikërisht ai që është bërë publik, pas një nate në të cilën pretendojnë se janë përdhunuar nga tre djem, të nesërmen dy turistet kanë njohur dy të panjohur të tjerë dhe i kanë ftuar përsëri në të njëjtin apartament, ku thonë se janë përdhunuar sërish. Pastaj kanë vazhduar udhëtimin drejt Durrësit dhe kallëzimi është bërë më 9 shtator.
Këto rrethana nuk provojnë se kallëzimi është i rremë. Sjellja e një viktime pas një sulmi seksual nuk ndjek domosdoshmërisht logjikën që presin të tjerët dhe nuk mund të përdoret vetvetiu si provë pafajësie. Por as akuza për përdhunim nuk mund të shndërrohet në një dënim automatik për pesë djem ende pa u identifikuar plotësisht, pa prova dhe pa përfunduar hetimi. Pikërisht për këtë ekzistojnë ekspertizat, komunikimet telefonike, kamerat, dëshmitë dhe provat biologjike.
Por historia ka një detaj tjetër që meriton vëmendje: siguracionin.
Për suedezët që udhëtojnë jashtë vendit, sigurimi është diçka krejt normale. Qeveria suedeze thotë se shumica e sigurimeve të banesës përfshijnë mbulim udhëtimi, zakonisht për 45 ditët e para. Ndërsa autoriteti suedez për viktimat e krimit shpjegon shprehimisht se sigurimi i banesës mund të japë kompensim edhe për dëmtime personale që rrjedhin nga një sulm apo përdhunim. Policia suedeze po ashtu këshillon që krimi dhe dëmi t’i raportohen siguruesit sa më shpejt. Kjo nuk provon aspak se dy suedezet e Tiranës kanë siguracion të tillë, se kanë kërkuar para apo se denoncimi është bërë për këtë qëllim.
Djemtë shqiptarë nga ana tjetër mund të jenë të etur, të patakt, të ekzaltuar kur dy turiste të bukura i ftojnë pas mesnate në apartament. Mund edhe të mendojnë se një gotë, një flirt dhe një ftesë në Airbnb janë rruga e shkurtër drejt një aventure seksuale. Por duhet të mësojnë edhe diçka tjetër: asnjë nga këto nuk është çek i bardhë për seks. Pëlqimi duhet të ekzistojë dhe duhet të vazhdojë të ekzistojë.
Po aq e rëndësishme është të kuptojnë se një aventurë e tillë nuk është më domosdoshmërisht një histori që mbaron kur mbyllet dera e apartamentit. Mund të përfundojë të nesërmen në polici, me telefonin në ekspertizë, me ADN-në në laborator dhe me një akuzë që të ndjek për vite.
Prandaj “penisët” shqiptarë duhet të jenë të kujdesshëm jo vetëm që të mos shkelin kurrë kufirin e pëlqimit, por edhe të mos futen me kokë në situata ku më pas fjala e njërit vihet përballë fjalës në gjuhë të huaj të tjetrës.
Shqipëria mund të jetë destinacion për turizëm, për alkool, për flirt dhe, po, edhe për aventura seksuale mes të rriturve që i dëshirojnë ato.
Në kufijtë e Shqipërisë turistike mund të futet kushdo, si nga Suedia, Anglia apo Birmania. Në burg, megjithatë, përfundojnë vetëm “mikëpritësit”, vendalinjtë nga Shqipëria, të cilët gjithsesi duhet ta “vizitojnë” burgun me prova, jo thjesht me një denoncim për përdhunim.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





