E shkarkuar nga dy presidentë republike, Vjosa Osmani e Republikës së Kosovës dhe Bajram Begaj, President i Shqipërisë, shefja e Shërbimit Informativ Shqiptar, Vlora Hyseni tashmë është futur në histori. Jo vetëm në atë të dy shteteve që flasin shqip, por edhe në manualin botëror të shërbimeve sekrete.
Por Vlora Hyseni nuk është vetëm një arrestim i bujshëm, për shkak të pozicionit të saj delikat në hierarkinë shtetërore. Vlora e SHISH na tregon edhe diçka tjetër: mënyrën se si Edi Rama e ka trajtuar Shqipërinë.
Atë që Kosova e shkarkoi, e hodhi në “plera”, Shqipëria e “ngarkoi”, e afroi pranë Kryeministrit dhe më pas i dha në dorë shërbimin sekret të shtetit.
Në qershor 2021, Vlora Hyseni ishte numri dy i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e shkarkuan me vendim të përbashkët. Arsyet konkrete nuk u bënë asnjëherë zyrtarisht publike, pavarësisht shumë aludimeve që shkuan deri në bashkëpunim me armikun serb. Gjithsesi do ishte abuzive të shpikeshin sot, edhe pse vendimi zyrtar kishte një formulim që, parë nga zhvillimet e sotme, tingëllon të paktën interesant: Hysenit i kujtohej detyrimi për ruajtjen e informacionit të klasifikuar dhe se zbulimi apo mosruajtja e tij përbënte vepër penale.
Kryeministri ynë nuk e pa shkarkimin e Vlorës në Kosovë si pengesë për ta sjellë znj. Hyseni në Vlorën origjinale të Shqipërisë. Ajo u bë këshilltare e Edi Ramës dhe në mars 2023, ishte pikërisht kreu i qeverisë që ia propozoi Bajram Begajt për drejtimin e SHISH, Vlora Hysenin. Presidenti e dekretoi më 3 prill.
Pas tre viteve “shërbim” sekret në Shqipëri, GJKKO e pezullon nga detyra dhe e ka vendosur në “arrest shtëpie”, me kërkesë të SPAK, shefen e SHISH. Sipas njoftimit zyrtar, ndaj saj rëndojnë veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Nga Vlora te Iute, skema të kujton diçka
Vlora Hyseni nuk është rasti i vetëm ku ajo që Kosova e nxjerr nga dera, në Shqipëri e fusin jo nga penxherja, por përsëri serbes serbes nga hyrja kryesore.
Në dhjetor 2019, Banka Qendrore e Kosovës i revokoi regjistrimin Iute Credit Kosova dhe nisi likuidimin e këtij institucioni mikrofinance. Arsyetimi i BQK-së ishte jashtëzakonisht i rëndë: institucioni kishte devijuar nga plani mbi të cilin ishte licencuar dhe kishte aplikuar norma interesi që BQK i cilësonte “jashtë çdo standardi”. Sipas bankës qendrore kosovare, veprimtaria rrezikonte aftësinë paguese të huamarrësve dhe stabilitetin financiar të Kosovës. Të gjitha zyrat dhe pikat e Iutes në Kosovë u mbyllën dhe gjithçka u sekuestrua, deri te karriget ku bëhej puna në dëm të kosovarëve të thjeshtë që aspironin për pak euro kredi.
Iute qendrore në Estoni, e kundërshtoi vendimin e ashpër të BQK dhe e çoi Kosovën në arbitrazh ndërkombëtar. Kosova e fitoi edhe arbitrazhin.
Në Shqipëri historia vazhdoi dhe vijon ndryshe.
IuteCredit Albania kishte licencë mikrokredie që prej vitit 2015 dhe, ndërsa motrës së saj në Kosovë iu hoq licenca, aktiviteti në Shqipëri filloi të lulëzonte, pikërisht në këtë periudhë e më pas. Në vitin 2022, një shoqëri e zotëruar nga i njëjti grup mori nga Banka e Shqipërisë edhe licencën e parasë elektronike, duke i hapur rrugë zgjerimit të shërbimeve në pagesa dhe transferta. Sot, nuk numërohen dot shqiptarët e varfër që kanë rënë pre’ e një skeme prej së cilës nuk dalin dot më. Kur ata marrin mikrokredi nga Iute, nga e cila nuk shpëtojnë dot më as për “7 breza”.
“Vlora” dhe “Iute” janë dy histori që tregojnë një ndryshim themelor të mentalitetit në dy anët e kufirit shqiptar, kur Kosova thotë: “jo”, ndërsa Shqipëria: “bujrum”.
Janë dy mënyra diametralisht të kundërta se si udhëheqësit e dy shteteve të së njëjtës kombësi, reagojnë ndaj të njëjtit fenomen e jo thjesht ndaj të njëjtit personazh apo emër.
Shteti i Kosovës nuk i pranoi “shërbimet” e dyshimta të Vlora Hysenit, ndërsa shteti i Partisë Socialiste në Shqipëri i vuri stampën “Agasi” dhe e përqafoi me dashuri.
Shteti i Kosovës nuk i pranoi shërbimet apo mashtrimet financiare të “IUTE”, ndërsa shteti i Bankës së Shqipërisë, i dha një mundësi të pakufijshme kompanisë të blinte e shiste “dëshpërim” me shumicë.
Përtej çdo komenti, faktet e Vlorës dhe Iutes flasin me bujë: Ato që Kosova i “deporton”, Shqipëria i strehon. Në çfarë shteti jemi kthyer?!
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





