Një nga parqet më të njohura të argëtimit në Kaliforni, Six Flags Magic Mountain, po përballet me padi pasi disa vizitorë pretendojnë se kanë pësuar dëmtime të rënda në tru pas një xhiroje me roller coaster-in ekstrem X2.
Tre persona kanë ngritur padi ndaj parkut duke pretenduar se kanë pësuar “dëmtime katastrofike në tru”, ndërsa firma ligjore që i përfaqëson thotë se më shumë se 100 persona të tjerë kanë raportuar dëmtime traumatike të trurit pas përdorimit të të njëjtit atraksion.
“Shkuan në Magic Mountain për t’u argëtuar, për të kaluar kohë me familjen, dhe përfunduan me dëmtime katastrofike në tru”, deklaroi avokati Gary Dordick gjatë një konference për shtyp.
Rasti ka marrë vëmendje të veçantë pas dy incidenteve të rënda në korrik, kur dy gra pësuan hemorragji cerebrale dhe iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale urgjente pasi kishin hipur në X2. Njëra prej tyre, 25-vjeçarja Naomi Greer-Wilkinson, vazhdon të jetë e shtruar në spital. Sipas avokatëve, mjekët i kanë lidhur dëmtimet me përshpejtimin dhe ngadalësimin e menjëhershëm të përjetuar gjatë xhiros.
Një investigim i CNN në muajin gusht zbuloi se gjatë afro 20 viteve janë regjistruar më shumë se një duzinë raportimesh për dëmtime serioze, përfshirë dy vdekje, të lidhura me X2.
Atraksioni konsiderohet një nga më ekstremët e parkut. Sediljet e tij rrotullohen 360 gradë, ndërsa arrin shpejtësi deri në 76 milje në orë, ose rreth 122 kilometra në orë, duke kaluar nëpër kthesa, rrotullime dhe rënie të menjëhershme.
Më shumë se 300 persona kanë kontaktuar firmën ligjore të Dordick për të raportuar dëmtime. Avokati Christopher Bulone tha se, sipas ekspertëve të konsultuar prej tyre, mënyra se si është projektuar X2 përfshin më shumë forca dhe variabla se atraksionet e tjera.
“Është projektimi i këtij atraksioni që e bën atë në thelb të rrezikshëm dhe në një mënyrë që asnjë vizitor i arsyeshëm nuk do ta priste”, deklaroi Bulone, duke pretenduar se persona të pafajshëm kanë dalë prej tij me dëmtime të përhershme në tru.
Six Flags ka deklaruar se nuk komenton çështjet gjyqësore në proces. X2 është i mbyllur që prej mesit të korrikut. Sipas parkut, atraksionet i nënshtrohen një programi të gjerë sigurie, me inspektime të përditshme dhe kontrolle periodike nga inspektorë të jashtëm, autoritetet shtetërore, kompanitë e sigurimeve dhe ekspertët e inxhinierisë dhe sigurisë.
Pretendimet për shkakun e dëmtimeve dhe përgjegjësinë e parkut do të jenë tashmë objekt i proceseve gjyqësore.
Burimi: The Guardian






