Koha e tepërt që fëmijët kalojnë para telefonave, tabletëve, televizorëve dhe pajisjeve të tjera digjitale mund të lidhet me vështirësi në të nxënë, zhvillimin e gjuhës dhe mirëqenien emocionale, sipas një prej analizave më të mëdha të realizuara deri tani mbi këtë çështje.
Studiuesit analizuan të dhëna për më shumë se 2.8 milionë fëmijë në 64 vende, duke përfshirë përdorimin e ekraneve për rrjetet sociale, lojërat elektronike, platformat e transmetimit dhe forma të tjera të aktivitetit digjital. Rezultatet u publikuan në revistën shkencore JAMA Pediatrics.
Analiza tregoi se një ekspozim më i madh ndaj ekraneve lidhej me rezultate të përgjithshme më të ulëta në shkollë dhe zhvillim më të dobët të gjuhës. Studiuesit nuk gjetën një lidhje të qartë me rezultatet specifike në matematikë, lexim apo shkencë, por theksuan se këto fusha ishin ndër më pak të studiuarat dhe se mungesa e lidhjes mund të jetë pasojë e të dhënave të pamjaftueshme.
Lidhje u konstatuan edhe me shëndetin emocional dhe sjelljen. Fëmijët që kalonin më shumë kohë para ekraneve shfaqninmë shpesh probleme emocionale dhe në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, si dhe simptoma të lidhura me ankthin dhe depresionin. Përdorimi më i lartë u shoqërua gjithashtu me sjellje të jashtme problematike, përfshirë agresivitetin dhe simptoma të çrregullimit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit, ADHD.
Sipas autorëve, madhësia e këtyre lidhjeve ishte e krahasueshme, ose në disa raste më e madhe, me faktorë të tjerë të njohur që ndikojnë në zhvillimin e fëmijëve, si gjendja socio-ekonomike e familjes, sjellja prindërore dhe lindja e parakohshme.
Megjithatë, studiuesit dhe ekspertët paralajmërojnë se rezultatet nuk provojnë se ekranet janë shkaku i drejtpërdrejtë i problemeve. Tatiana Íñiguez Berrozpe, pedagoge e sociologjisë në Universitetin e Zaragozës, tha se lidhja e konstatuar me shëndetin mendor dhe rezultatet akademike është relativisht e vogël dhe nuk mbështet idenë se ekranet janë shkaku kryesor i shqetësimeve emocionale te adoleshentët.
Një tjetër kufizim është se analiza nuk mundi të përcaktojë qartë nëse disa aktivitete digjitale janë më problematike se të tjerat. Të dhënat nuk ishin të mjaftueshme për të nxjerrë përfundime të forta veçmas për rrjetet sociale, lojërat elektronike apo lloje të tjera të përdorimit të ekraneve.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, studimi sugjeron se sasia e kohës së kaluar para ekraneve është një faktor që mund të modifikohet dhe që lidhet me disa aspekte të zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve.
Burimi: The Guardian / JAMA Pediatrics





