Prokuroria e Posaçme i ka sekuestruar telefonin Ardit Hysës, person kyç bashkë me Ardi Veliun në krijimin e KAYO-s. Në verën e vitit 2025 Ardit Hysa si një ndër personat që punuan mbi “letrat” KAYO-s, u vetëemërua drejtor juridik i kompanisë, ndërsa ish-kryepolici Veliu, drejtor ekzekutiv i saj. Pasi “shtroi” punën për një vit në këtë kompani u shpërblye me postin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Hysa u sulmua nga hetuesit e BKH-së, pas sekuestrimit të telefonave të Aleks Markut, Ardi Veliut dhe Ron Yeffet.
Ardit Hysa, megjithëse është një personazh me profil të ulët publik, nga SPAK është trajtuar ndryshe. Ai konsiderohet si burim informacioni pasi ka vepruar gjithnjë si ndërlidhës dhe aktiv në kulisat e administratës së lartë dhe pushtetit socialist.
Rruga e tij nis herët, si i “rekrutuar” nga Fatmir Xhafaj, në Ministrinë e Drejtësisë.
Me disa shkëputje, Hysa rivjen në xhiron e administratës së lartë publike më shumë si këshilltar ministrash. Nga Ministria e Drejtësisë, kalon në Ministrinë e Mbrojtjes, më pas në Ministrinë e Brendshme. Gjithmonë një dorë e padukshme e ka drejtuar dhe katapultuar Ardit Hysën për të kontrolluar nga afër ministritë kryesore.
Misionet e veçanta iu caktuan tek IdentiTek dhe më pas te KAYO, ku dhe mban autorësinë e “letrave” dhe lëvizjeve fillestare të kësaj kompanie me veprën e parë – “pushtimi” i territorit ku ishte News 24.
Për vazhdimin e aferave të armatimeve me Roni Yeffet, Ardit Hysa dërgohet me “mision” në Ministrinë e Mbrojtjes, ku emërohet në postin e sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie.
Telefoni i Ardit Hysës është një minierë informacioni për hetuesit, për shkak të njohjeve të tij me personazhe të rëndësishëm të jetës politike dhe pozicioneve delikate në administratën publike.
Një ndër miqtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Ardit Hysës raportohet të jetë Enri Ndoni, që me bekimin e Hysës u dërgua në postin e Drejtorit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit në 2024, pas arrestimit të Ervin Muçës për skandalin e vjedhjes së sistemit TIMS.
Enri Ndoni, që prej asaj kohe është personi më i rëndësishëm në Drejtorinë e Sistemeve dhe Databazave në Policinë e Shtetit, pavarësisht se drejtuese e strukturës kryesore të Teknologjisë së Informacionit është Aida Hajna, ish-shefe e BKH.
Të dhënat për Hysën, Ndonin, Veliun dhe miqtë që i komandojnë nga lart, tashmë gjenden në duart e hetuesve të SPAK.
Telefonat e tyre të sekuestruar me dinakëri në kohë të ndryshme, u bënë “spiunët” e rrjetit që pritet të sjellë zhvillime të tjera jo vetëm për hetimin por dhe politikën e lartë në vend.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





