Mijëra studentë dhe qytetarë kanë mbushur rrugët e Rio de Zhaneiros në Brazil, duke protestuar kundër mundësisë që Flavio Bolsonaro, djali i ish-presidentit të burgosur Jair Bolsonaro, të marrë drejtimin e vendit pas zgjedhjeve presidenciale.
Protestat u organizuan vetëm pak ditë pasi Flavio Bolsonaro doli i pari në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, duke siguruar rreth dy milionë vota më shumë se presidenti aktual, Luiz Inácio Lula da Silva.
Megjithatë, asnjëri prej kandidatëve nuk arriti të marrë mbi 50% të votave, çka e çon Brazilin drejt një balotazhi më 25 tetor. Bolsonaro konsiderohet favorit, ndërsa Lula përballet me sfidën e bashkimit të votuesve përpara raundit vendimtar.
Me pankarta ku shkruhej “Jo Flavios, po arsimit”, “Brazili nuk është oborri i askujt” dhe “Kurrë më Bolsonaro”, protestuesit marshuan mes daulleve, fishekzjarrëve dhe thirrjeve kundër së djathtës ekstreme.
Një nga shqetësimet e shprehura gjatë protestës lidhej me afrimin e mundshëm të Brazilit me Shtetet e Bashkuara, për shkak të lidhjeve ideologjike të Flavio Bolsonaros me presidentin amerikan Donald Trump.
“Nëse Bolsonaro fiton, Brazili do të bëhet një koloni e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi për mediat studenti 20-vjeçar i letërsisë, Joao Victor Vieira.
Talita Amaral, 19 vjeçe, studente e shkencave mjedisore, tha se protesta nuk ishte thjesht një mobilizim në mbështetje të presidentit aktual. “Po luftojmë për Brazilin, jo për Lulën”, u shpreh ajo, duke theksuar se pjesëmarrësit po përpiqen të bindin edhe qytetarë të tjerë përpara balotazhit.
Në protestë morën pjesë edhe qytetarë që shprehën shqetësime për politikat që mund të ndiqen ndaj pakicave. Alice Carneiro, 25 vjeçe, tha se druhet nga rikthimi i politikave të së djathtës ekstreme, të cilat, sipas saj, mund të diskriminojnë grupe të caktuara shoqërore, përfshirë komunitetin LGBT.
“Jam këtu sepse besoj te demokracia. Sepse kam frikë”, deklaroi ajo për AFP.
Sipas dëshmitarëve, marshimi studentor ishte më i madh dhe më energjik se tubimi elektoral i organizuar nga Lula në të njëjtën rrugë disa ditë më parë.
Rezultatet e raundit të parë tregojnë gjithashtu se kandidatët e renditur në vendet e treta, të katërta dhe të pesta, të gjithë të spektrit të djathtë, siguruan së bashku mbi tetë milionë vota. Kjo e bën veçanërisht të rëndësishme mënyrën se si do të orientohen votuesit e tyre në balotazh.
Ndërkohë, fushata e Lulës po përpiqet të forcojë praninë në rrjetet sociale, ku deri tani Bolsonaro dhe mbështetësit e tij kanë pasur një ndikim më të madh. Presidenti brazilian ka zhvilluar një takim me figura të së majtës aktive në rrjetet sociale, të cilat fituan mandate parlamentare në zgjedhjet e së dielës, për të diskutuar strategjinë e fushatës për raundin e dytë.
Më 25 tetor, brazilianët do të vendosin nëse presidenca do të mbetet në duart e Lulës apo do t’i kalojë Flavio Bolsonaros, duke rikthyer familjen Bolsonaro në pushtet.

Burimi: Deutsche Welle / AFP / AP






