Dyqanet IKEA në Danimarkë mund të shndërrohen në strehё emergjente apo spitale të përkohshme në rast ndërprerjesh të energjisë, përmbytjesh ose sulmesh ndaj infrastrukturës kritike. Nisma është pjesë e përpjekjeve të vendeve evropiane për të forcuar gatishmërinë përballë krizave dhe kërcënimeve të luftës hibride, duke përfshirë edhe bizneset private në sistemet e mbrojtjes civile.
Në departamentin e shtretërve të dyqanit më të madh IKEA në Danimarkë, mes dhjetëra modeleve të ekspozuara për klientët, drejtuesi i sigurisë Torben Mortensen shpjegon se si hapësirat e zakonshme tregtare mund të marrin një funksion krejt tjetër në rast emergjence.
Nëse vendi do të përballej me një ndërprerje të madhe të energjisë elektrike, përmbytje apo sulm ndaj infrastrukturës kritike, dyqanet e IKEA-s mund të hapnin dyert për qytetarët që kanë nevojë për strehim, ndërsa në rrethana të caktuara mund të shërbenin edhe si spitale të përkohshme.
Restorantet brenda dyqaneve mund të përgatisin ushqim për personat e strehuar, gjeneratorët do të siguronin furnizimin me energji elektrike, ndërsa shtretërit shtesë mund të montohen nga paketimet e mobilieve të ruajtura në magazina.
“Duam të jemi një fqinj i mirë. Duam të jemi kompania që mund të mbështesë shoqërinë në rast krize”, deklaroi Mortensen për agjencinë Reuters.
Kjo nismë pasqyron një ndryshim më të gjerë në mënyrën se si Evropa po e koncepton sigurinë. Qeveritë nuk po mbështeten më vetëm te forcat e armatosura dhe shërbimet e emergjencës, por po kërkojnë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin e kompanive private për të garantuar funksionimin e shoqërisë gjatë situatave të jashtëzakonshme.
Përpjekjet janë intensifikuar pas një sërë incidentesh të dyshuara sabotimi, sulmesh kibernetike dhe veprimesh të tjera që zyrtarët evropianë i kanë lidhur me luftën hibride ruse. Shërbimi danez i inteligjencës ka paralajmëruar se Rusia mund t’i shtojë këto aktivitete kundër vendeve të NATO-s dhe shteteve të tjera perëndimore gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa Moska i mohon akuzat.
Bashkimi Evropian po i nxit shtetet anëtare të bashkëpunojnë më ngushtë me sektorin privat në kuadër të Strategjisë së Unionit për Gatishmërinë, të prezantuar në mars 2025, e cila synon përmirësimin e aftësisë së vendeve evropiane për t’u përballur me emergjenca të ndryshme.
IKEA është bërë pjesë e Koalicionit Danez të Bizneseve për Gatishmërinë ndaj Krizave, një rrjet që identifikon burimet dhe kapacitetet që kompanitë private mund të vënë në dispozicion të autoriteteve në rast emergjence, nga shtretërit dhe rezervat ushqimore deri te kamionët, pajisjet dhe personeli i specializuar.
“IKEA është një shembull shumë i mirë, sepse askush nuk do ta përfshinte natyrshëm në një listë burimesh për menaxhimin e krizave. Por një dyqan IKEA ka hapësira, mallra, ambiente për përgatitjen e ushqimit dhe gjeneratorë”, shpjegoi Maja Broloes, drejtuese e rrjetit.
Ideja nuk është thjesht teorike. Gjatë përmbytjeve shkatërrimtare që goditën rajonin e Valencias në Spanjë, në tetor 2024, IKEA e shndërroi një prej dyqaneve të saj në strehё për më shumë se 600 persona.
Kompania ka sqaruar se nuk ekziston një program i unifikuar global për përdorimin e dyqaneve, pasi marrëveshjet për gatishmërinë ndaj emergjencave organizohen veçmas në secilin vend.
Përgatitjet në Danimarkë nuk kufizohen vetëm te IKEA. Salling Group, operatori më i madh i supermarketeve në vend, po hap të parin nga 51 dyqanet e projektuara për të funksionuar deri në 48 orë pa energji elektrike ose lidhje interneti.
Qëllimi është që furnizimi i popullsisë me produkte të domosdoshme të mos ndërpritet edhe në rast të një krize që prek rrjetet energjetike ose sistemet e komunikimit.
Masa të ngjashme po ndërmerren edhe në vende të tjera evropiane. Në Estoni, legjislacioni detyron 300 kompani të ruajnë funksionimin e shërbimeve kritike gjatë krizave, ndërsa Finlanda ka krijuar një rrjet bashkëpunimi mes autoriteteve, organizatave joqeveritare dhe bizneseve për të garantuar sigurinë e furnizimeve.
Në Poloni, disa kompani kanë detyrimin ligjor që, në rrethana të caktuara krize, t’u vënë në dispozicion forcave të armatosura automjete, makineri dhe prona.
Koalicioni danez përfshin tashmë më shumë se 200 kompani, me mbi 300 mijë punonjës, nga sektori i tregtisë dhe ndërtimit deri te operatorët e telekomunikacionit.
Po krijohet edhe një mekanizëm kompensimi me mbështetje shtetërore, përmes të cilit kompanitë do të mund të rimbursohen për burimet e përdorura gjatë emergjencave, me vlerësimin e shpenzimeve rast pas rasti.
Rrjeti funksionon mbi baza vullnetare dhe ka marrë pjesë në stërvitje për gatishmërinë ndaj krizave së bashku me autoritetet qeveritare, por ende nuk është përballur me një emergjencë madhore reale në Danimarkë.
Megjithatë, një ngjarje e pazakontë e vitit 2021 tregoi se si një dyqan IKEA mund të funksionojë si strehimore e përkohshme edhe pa një plan të posaçëm emergjence.
Në dhjetor të atij viti, një stuhi dëbore bllokoi gjashtë klientë dhe rreth 24 punonjës brenda një dyqani IKEA në qytetin danez Aalborg, duke i detyruar të kalonin natën në ambientet e tij.
Të gjithë fjetën në shtretërit e ekspozuar për shitje dhe mëngjesin e ardhshëm, pasi punonjësit ndërruan çarçafët, dyqani u rihap normalisht për klientët.
Tashmë, ajo që dikur ishte një zgjidhje spontane gjatë një stuhie dëbore po shqyrtohet si pjesë e një sistemi më të gjerë përgatitjeje, në të cilin dyqanet, supermarketet dhe kompanitë private mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe mbështetjen e popullsisë gjatë krizave.

Burimi: Reuters






