Një skandal i madh financiar ka tronditur politikën turke, pasi ish-ministrja e Familjes dhe ish-nënkryetarja e partisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan, Fatma Betül Sayan Kaya, është arrestuar nën dyshimet për përfshirje në një skemë manipulimi të fondeve të investimit. Sipas opozitës, ajo dhe bashkëshorti i saj dyshohet se kanë përfituar rreth 43 milionë dollarë nga operacione të dyshimta financiare, përpara se manipulimet e tregut të shkaktonin një krizë që preku kursimet e qindra mijëra investitorëve.
Një gjykatë në Stamboll vendosi të premten masën e arrestit me burg për ish-ministren Fatma Betül Sayan Kaya, në kuadër të një hetimi për manipulimin e tregjeve financiare dhe shkeljen e legjislacionit për tregjet e kapitalit.
Sipas agjencisë shtetërore Anadolu, Kaya akuzohet për shkelje të ligjit për tregjet e kapitalit dhe pjesëmarrje në një organizatë të krijuar me qëllim kryerjen e veprave penale.
Bashkëshorti i saj, İlyas Kaya, u la i lirë me detyrimin për t’u paraqitur rregullisht pranë policisë.
Fatma Betül Sayan Kaya ka mbajtur postin e ministres së Familjes nga viti 2016 deri në vitin 2018 dhe deri pak kohë më parë ishte një nga drejtueset e larta të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), të presidentit Erdogan.
Ajo dha dorëheqjen nga posti i nënkryetares së partisë më 26 shtator, pas akuzave të opozitës se kishte siguruar fitime të jashtëzakonshme nga një skemë investimesh që ishte bërë objekt i një skandali financiar.
Sipas Zeynel Emre, kryetar i partisë opozitare Yeni Party, ish-ministrja dhe bashkëshorti i saj kishin investuar rreth 163 milionë lira turke në një fond investimi, përpara se të tërhiqnin një shumë shumëfish më të madhe.
Opozita pretendon se çifti përfitoi rreth 2.17 miliardë lira turke, ekuivalente me afërsisht 43 milionë dollarë ose 38.4 milionë euro, duke shitur aksionet pak përpara manipulimeve të dyshuara të çmimeve që shkaktuan krizën në bursë.
Pas shpërthimit të skandalit, autoriteti rregullator financiar ndërhyri duke shpërbërë 131 fonde investimi.
Kaya dhe bashkëshorti i saj i kanë mohuar akuzat për veprime të paligjshme. Ata kanë transferuar një pjesë të shumës së kontestuar në një llogari të përcaktuar nga autoritetet bankare.
Hetimet për skandalin financiar janë zgjeruar ndjeshëm gjatë javëve të fundit. Prokurorët turq po shqyrtojnë dyshimet për manipulime të përhapura në tregjet financiare, të cilat mund të kenë prekur kursimet e afro gjysmë milioni investitorëve.
Ministri turk i Drejtësisë, Akın Gürlek, deklaroi se më shumë se 430 persona janë nën hetim për manipulim të dyshuar të tregut dhe përdorim të informacionit të privilegjuar në transaksione financiare.
Nga këta, 112 persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve.
Skandali ka shkaktuar gjithashtu përplasje të forta politike mes qeverisë dhe opozitës.
Kreu i opozitës, Özgür Özel, e ka bërë drejtpërdrejt përgjegjës presidentin Erdogan për krizën, duke kërkuar dorëheqjen e tij ose shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Duke folur në parlament, Özel pretendoi se edhe anëtarë të komitetit të ngritur nga Erdogan për të trajtuar krizën e fondeve ishin ndaluar në kuadër të të njëjtave hetime.
Ai i kërkoi presidentit të shqyrtonte më me kujdes veprimtarinë e njerëzve të afërt me të, duke përmendur edhe ministrin e Drejtësisë.
Skandali, i cili shpërtheu në shtator, është kthyer në një çështje të rëndësishme politike dhe financiare në Turqi, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë dhe përmasat e dëmit të shkaktuar investitorëve.





