Nga kontrasT.AL
Australia ka miratuar një ligj historik që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç, duke vendosur një precedent global për mbrojtjen e shëndetit mendor të brezit të ri. Ligji, që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2026, detyron platformat si Instagram, TikTok, Snapchat, Facebook, YouTube dhe X të bllokojnë llogaritë e fëmijëve nën 16 vjeç dhe parashikon gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë për kompanitë që nuk e respektojnë këtë rregull.
Qeveria australiane thotë se masa vjen si rrjedhojë e rritjes dramatike të depresionit, ankthit, izolimit social dhe bullizmit kibernetik te adoleshentët. Psikologët e mbështesin nismën si një hap të vonuar, ndërsa kritikët paralajmërojnë për rrezikun e grumbullimit masiv të të dhënave personale dhe vështirësitë teknike të verifikimit të moshës. Megjithatë, debati global tashmë ka nisur dhe shumë vende mendojnë të ndjekin të njëjtën rrugë.
Po Shqipëria?
Ndërsa vendet e zhvilluara po diskutojnë kufizime serioze, realiteti shqiptar është krejt tjetër: fëmijët përdorin rrjetet sociale në moshë gjithnjë e më të ulët, shpesh që në klasën e tretë apo të katërt, ndërsa prindërit kanë pak kontroll real mbi kohën, përmbajtjen dhe kontaktet virtuale të tyre. Smartfoni është bërë pjesë e pandashme e gjumit, shkollës, ushqimit dhe shëtitjeve, duke zëvendësuar aktivitetet sociale reale me botën virtuale.
Pasojat tashmë janë të dukshme dhe shpesh tragjike. Sikur tё mos mjaftonte rasti i Martin Camit, qё humbi jetёn nё mёnyrё tragjike pas njё sherri tё nisur me bashkёmoshatarin e tij nё Snapchat, vetëm ditёt e fundit në Durrës, një 15-vjeçar u godit me thikë pas një sherri të nisur po në rrjetet sociale — një episod që tregon qartë tashmё se konfliktet virtuale po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në dhunë fizike mes adoleshentëve.
Janë rritur në mënyrë alarmante edhe rastet e vajzave të mitura që bien pre e lidhjeve virtuale me persona të rritur, të cilët paraqiten me identitete të rreme dhe fitojnë besimin e tyre nëpërmjet komunikimit online pa dijeninë ose mbikëqyrjen e një të rrituri. Fillimisht, këta persona i nxisin vajzat të dërgojnë foto apo video personale nën presion emocional, duke përdorur mashtrime ose premtime të rreme.
Kur vajzat tentojnë të ndërpresin komunikimin, përballen me shantazh, kërcënime dhe presion psikologjik: imazhet shpërndahen në rrjetet sociale, u dërgohen shokëve të klasës ose përdoren për të kërkuar para nga familja, duke shkaktuar trauma të rënda emocionale dhe raste të rrezikshme të vetizolimit dhe dëmtimit të mirëqenies psikologjike dhe fizike.
Këto histori nuk janë përjashtime — janë shenja alarmi të një sistemi që po dështon të mbrojë të rinjtë.
Në Shqipëri mungon njё strategji kombëtare.
Nuk ka mekanizma verifikimi të moshës, nuk ka rregulla të detyrueshme për platformat, nuk ka edukim të detyrueshëm mbi sigurinë digjitale në shkolla dhe nuk ka një politikë shtetërore të koordinuar pёrmes Ministrisë së Arsimit. Në debatet publike shfaqet gjithmonë argumenti se “prindërit duhet të kontrollojnë fëmijët”, por në realitet kjo është një barrë e pamundur në një epokë ku rrjetet sociale janë teknologjikisht një hap përpara familjes.
Çdo prind mund të kujdeset, por asnjë prind nuk mund të zëvendësojë një politikë kombëtare të mbrojtjes së të miturve.
Australia tregoi se shteti mund të ndërhyjë për të mbrojtur fëmijët — me ligj, jo vetëm me këshilla morale.
Shqipëria ka nevojë urgjente për një qasje gjithëpërfshirëse: edukim mbi rreziqet e varësisë digjitale, mjete teknike që u japin prindërve kontroll real deri në një moshë të caktuar, rregullim të platformave me masa të forta ligjore për të kufizuar aksesin dhe kontrolluar pёrmbajtjen e informacionit qё u serviret nё rrjetet sociale fëmijëve.
Pyetja është: A do të veprojë Shqipëria tani — apo do të presë tragjedinë e radhës për të kuptuar se ka ardhur koha për ndryshim?






