Më 26 prill 1986, një nga katastrofat më të mëdha bërthamore në histori goditi pranë kufirit Ukrainë–Bjellorusi, kur një seri shpërthimesh çuan në shkrirjen e reaktorit të Centralit Bërthamor të Çernobilit, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Tragjedia preku qindra mijëra njerëz dhe la pas një territor të kontaminuar që shkencëtarët vazhdojnë ta studiojnë edhe katër dekada më vonë.
Sot, Zona e Përjashtimit të Çernobilit (CEZ), një territor prej rreth 2.600 kilometrash katrorë përreth centralit, është kthyer në një laborator natyror unik për të studiuar efektet afatgjata të rrezatimit jonizues. Edhe pse njerëzit e braktisën zonën, shumë specie të egra – përfshirë ujqër, qen, bretkosa, derra të egër dhe drerë – vazhduan të jetonin aty.
Studimet e viteve të fundit kanë zbuluar ndryshime të rëndësishme biologjike tek kafshët e Çernobilit. Në vitin 2016 u identifikuan karakteristika të veçanta tek bretkosat e zonës, ndërsa në vitin 2023 u evidentuan dallime gjenetike mes qenve që jetojnë në Çernobil dhe atyre që ndodhen vetëm pak kilometra larg. Më së fundmi, biologët e Universitetit Princeton publikuan një studim mbi ujqërit e Çernobilit, duke analizuar ndikimin e rrezatimit kronik në sistemin e tyre imunitar dhe në evolucionin gjenetik.
Ujqërit paraqesin interes të veçantë për shkencëtarët sepse ndodhen në majën e zinxhirit ushqimor. Kjo do të thotë se ata konsumojnë prenë që është ekspozuar ndaj rrezatimit, duke grumbulluar efektet e tij në organizëm. Megjithatë, në mënyrë surprizuese, popullsia e ujqërve në zonë rezulton shumë më e dendur sesa në disa rezervate natyrore të mbrojtura në Bjellorusinë fqinje. Një nga shpjegimet kryesore është mungesa e aktivitetit njerëzor, e cila u ka krijuar kushte më të favorshme për mbijetesë dhe shumim.
Për të kuptuar më mirë ndikimin e rrezatimit, studiuesit pajisën ujqërit me gjurmues GPS dhe dozimetra. Të dhënat treguan se këto kafshë ekspozohen vazhdimisht ndaj niveleve të rrezatimit rreth gjashtë herë më të larta se kufiri ligjor i lejuar për njerëzit.

Analizat laboratorike zbuluan ndryshime në përbërjen e qelizave të bardha të gjakut, modele të veçanta të shprehjes së gjeneve dhe evoluim më të shpejtë të gjeneve të lidhura me imunitetin dhe reagimin ndaj proceseve kancerogjene. Këto rezultate sugjerojnë se organizmi i ujqërve është përshtatur për të jetuar nën stres të vazhdueshëm nga rrezatimi. Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo nuk provon ende se ujqërit preken më rrallë nga kanceri apo se janë bërë “imunë” ndaj tij.
Sipas ekipit të Princetonit, rajonet e ADN-së që po evoluojnë më shpejt tek ujqërit e Çernobilit janë pikërisht ato që lidhen me përgjigjen imunitare kundër tumoreve. Kjo ka ngritur hipotezën se mekanizmat biologjikë të zhvilluar nga këto kafshë mund të ndihmojnë në të ardhmen kërkimet për trajtime të reja kundër kancerit tek njerëzit.
Për dekada me radhë, Çernobili është konsideruar simbol i një katastrofe ekologjike globale. Megjithatë, përveç pasojave tragjike, ai po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një mundësi të jashtëzakonshme shkencore për të kuptuar se si jeta përshtatet dhe evoluon në kushtet më ekstreme.
(Burimi: Darren Orf, Popular Mechanics)






