Për dekada me radhë, vaginoza bakteriale është konsideruar ekskluzivisht si një problem shëndetësor i grave. Vetë emri i saj e përforconte këtë ide dhe mjekësia gjinekologjike e trajtoi për rreth 50 vjet si një çështje që lidhej vetëm me vaginën. Por një studim i publikuar së fundmi në The New England Journal of Medicine ka ndryshuar rrënjësisht këtë qasje, duke treguar se infeksioni transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale dhe se trajtimi duhet të përfshijë edhe partnerët meshkuj.
Vaginoza bakteriale, e njohur si BV, është infeksioni vaginal më i shpeshtë në botë. Rreth një në tre persona me vaginë do ta përjetojnë atë të paktën një herë gjatë jetës. Edhe pse prej vitesh dihej se bakteret e lidhura me këtë gjendje mund të gjendeshin edhe në penis, në praktikë ajo vazhdonte të trajtohej vetëm te gratë, shpesh pa sukses afatgjatë dhe me rikthime të shpeshta.
Studimi që ndryshoi këtë realitet ndoqi 150 çifte heteroseksuale, ku partnerja kishte vaginozë bakteriale. Gratë u trajtuan me antibiotikët standardë, ndërsa gjysma e burrave morën antibiotikë oralë dhe topikë. Brenda tre muajsh, rezultatet ishin aq pozitive sa studimi u ndërpre përpara kohe, në mënyrë që edhe pjesa tjetër e pjesëmarrësve të përfitonte nga trajtimi. Përfundimi ishte i qartë: trajtimi i partnerëve funksionon dhe rikthimet ulen ndjeshëm.
Këto rezultate u përshëndetën nga shumë mjekë si një konfirmim i asaj që kishin vërejtur prej vitesh në praktikë. Për shkak të tyre, organizata profesionale dhe autoritete shëndetësore në SHBA nisën të ndryshojnë udhëzimet: mjekëve iu rekomandua të trajtojnë edhe partnerët meshkuj në rastet e vaginozës bakteriale të përsëritur. Në disa shtete, kjo praktikë tashmë është bërë standard në klinikat e shëndetit seksual.
Megjithatë, mbetet e debatueshme nëse vaginoza bakteriale duhet të quhet zyrtarisht një infeksion seksualisht i transmetueshëm. Disa mjekë druajnë se etiketa “STI” mund të rrisë stigmën për pacientët, ndërsa të tjerë theksojnë se nga pikëpamja biologjike kufijtë mes infeksioneve seksuale dhe atyre jo-seksuale janë shpesh artificialë. BV nuk shkaktohet nga një patogjen i vetëm, por nga një çekuilibër i mikrobiomës vaginale, që mund të ndikohet nga faktorë të shumtë si marrëdhëniet seksuale, ndryshimet hormonale, përdorimi i disa produkteve intime apo edhe cikli menstrual.
Mosnjohja e transmetimit seksual të këtij infeksioni ka pasur pasoja serioze për pacientët. Për më shumë se gjysmën e tyre, vaginoza bakteriale rikthehet brenda gjashtë muajsh nga trajtimi. Përveç shqetësimeve si irritimi, sekrecionet dhe era e pakëndshme, ajo rrit rrezikun për komplikime në shtatzëni dhe për infeksione të tjera, përfshirë HIV-in. Përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve ka sjellë gjithashtu rrezik për rezistencë bakteriale.
Për disa pacientë, ndryshimi i këndvështrimit ka qenë çlirues. Tashmë, vaginoza bakteriale nuk shihet më si një “problem personal” apo “problem i trupit të gruas”, por si një çështje që i përket të dy partnerëve. Trajtimi i përbashkët po shihet si çelësi për rezultate më të mira dhe më të qëndrueshme.
Edhe pse mjekët mund të vazhdojnë ta përshkruajnë BV-në me terma më neutralë, thelbi i mesazhit ka ndryshuar: nuk është një problem “i yti”, por një problem “i yni”. Ky ndryshim, sipas ekspertëve, mund të shënojë një nga përparimet më të rëndësishme në shëndetin riprodhues të dekadave të fundit.
(Burimi: The New York Times)






