Nga kontrasT.al
Në labirintin e koklavitur nёpёr të cilin ka hyrё procesi i reformave ligjore shqiptare, drejtësia vetё ngjason me njё teatër absurd, ku aktorët kryesorë janë vetë ligjvënësit. Ata që kërkojnë rritje të pagave, dietave dhe përfitimeve të tjera pёr veten, nuk harrojnё as “imunitetin” si rrip sigurimi tё “rolls mandatit” tё tyre katёr vjeҫar.
Propozimi i fundit qeveritar për modifikimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale ofron një spektakël të ri cinik dhe artistik.
Ky nen, i cili parashikon pezullimin e përkohshëm të ushtrimit të detyrave publike për të pandehurit në procese penale, tani synohet të “përmirësohet” me një formulim që, nën petkun e “saktësisë juridike”, fsheh një zgjerim të privilegjeve për elitën politike.
Po të analizosh këtë propozim, qё ka përdorur arsenalin e sofistikuar të gjuhës juridike shqiptare, kupton se termat si “imunitet funksional”, “parimi i barazisë para ligjit” dhe “pezullimi provizor”, shërbejnë thjesht si maska mbrojtёse për tё fshehur një realitet, ku ligji tregohet shumё elastik për të pushtetshmit dhe tepёr i ngurtë për të tjerët.
Sipas draftit të raportuar, masa e pezullimit të veprimtarisë publike nuk do të aplikohet ndaj “personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, duke përfshirë por pa u kufizuar në Presidentin e Republikës, Kryeministrin, anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

Ky nen synohet të ndryshohet me këtë përmbajtje:
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.
Kjo formulë, e cila evokon parimin e “numerus apertus” në doktrinat e së drejtës romake, nuk është gjë tjetër veçse një “ftesë” për zgjerim arbitrar, ku lista e tё përjashtuarve mund të shtrihet si një hije e errët mbi tërë strukturën e pushteteve.
Ironikisht, ky ndryshim pretendon të forcojë integritetin e institucioneve, por në fakt, ai nënvizon një kontradiktë flagrante me nenin 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili deklaron ndarjen dhe balancimin ndёrmjet pushteteve, dhe me nenin 18 tё saj, qё mbron barazinë para ligjit si një parim themelor, por që në praktikë shndërrohet në një iluzion optik për qytetarët e thjeshtë.
Si mund të justifikohet, nën dritën e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese (si shembull vendimi nr. 45/2018 mbi imunitetet parlamentare), që një i pandehur i zgjedhur të vazhdojë të drejtojë fatet e shtetit, ndërkohë që një nëpunës i rangut të ulët pezullohet menjëherë?
Kjo nuk është reformë, por një sofizëm ligjor që mbron Olimpin Politik nga stuhitë e drejtësisë, duke e bërë ligjin një instrument të përzgjedhjes klasore.
Në frymën e këtij absurdi, zgjerime të tjera të listës së tё përjashtuarve mund tё renditen, duke e trajtuar atё si një katalog të hapur të privilegjeve.
Pse të mos shtohen, për shembull, edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët, sipas nenit 73 të Kushtetutës, gëzojnë tashmë imunitet parlamentar, por që në këtë kontekst mund të argumentohen si “të zgjedhur sipas ligjit elektoral” pa kufizime? Ironikisht, kjo do të krijonte një simetri perfekte me praktikat e vendeve autoritare, ku ligji penal është një mjet për të eliminuar rivalët, por jo për të prekur establishment-in.
Akoma më tej, pse të mos përfshihen edhe kryetarët e bashkive bashke me anëtarët e këshillave vendorë, të cilët, nën petkun e “decentralizimit” sipas Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, mund të pretendojnë se roli i tyre është po aq jetёsor sa ai i Kryeministrit?
Kjo do të shndërronte pezullimin në një masë ekskluzive për burokratët e rangut të mesëm, duke lënë të paprekur rrjetin e pushtetit lokal, i cili shpesh është burim i korrupsionit endemik.
Lista e shqyer e interesave personale
Në një analizë më të thellë, duke iu referuar doktrinës së “proporcionalitetit” në të drejtën penale evropiane (siç artikulohet në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, neni 5), ky përjashtim i zgjeruar krijon një disproporcion të qartë midis mbrojtjes së interesit publik dhe privilegjit personal.
Sepse në këtë listë ironike, mund tё shtohen edhe kryetarët e partive politike, të cilët, megjithëse jo formalisht “të zgjedhur sipas ligjit elektoral”, de facto kontrollojnë procesin zgjedhor sipas Kodit Zgjedhor.
Sepse nё Shqipёri mbetet e qartё situata: kemi një sistem ku liderët partiakë, shpesh të akuzuar për financime të paligjshme, vazhdojnë të orkestrojnë lojën politike pa ndërprerje me rotacion brenda njё rrethi vicioz.
Lista e shqyer s’ka pse të mos përfshijë edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë ose anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), të cilët, sipas reformës së vitit 2016 (Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”), gëzojnë një autonomi që i bën ata pothuajse të paprekshëm. Kёshtu do të krijohet një tjeter cikël vicioz, ku ata që gjykojnë “pezullimet” nuk pezullohen vetë, duke e shndërruar drejtësinë në një farsë vetëmbrojtëse.
Realpolitikё me nenin 242
Në fund të fundit, propozimi pёr ndryshim tё nenit 242 nuk është veçse një manifestim i “realpolitikës” shqiptare, ku ligji penal shërben si një instrument i pushtetit, jo i drejtësisë.
Madje pushteti me kёtё rast ka shansin qё manovrёn e tij penalo-politike ta zgjerojё akoma mё shumё. Nёse heq nga neni 242 fjalën e thjeshtë “përfshi” dhe e zëvendëson me “duke përfshirë por pa u kufizuar në”, e transformon pёr bukuri përjashtimin në një listë të hapur, të pafundme, ku çdo figurë e lartë mund të gjejë strehë nga përgjegjësia penale.
Duke adoptuar formulën “duke përfshirë por pa u kufizuar në”, pushteti mund tё hapё derën, madje ta “shqyejё” fare atё për një interpretim mё ekspansiv, ku çdo institucion apo figurë e lartë shtetёrore të pretendojë përjashtimin nga pёrgjegjёsia penale nën pretekstin e “stabilitetit institucional”.
Maksima e Orwell-it na vjen pёrsёri nё ndihmё: “Të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët”.
Disa pyetje qё pёrplasin pёrgjigjet
Në një vend ku tranzicioni demokratik është ende një mit, ndryshimi i nenit 242 do të forconte vetëm narrativën se ligji është për të dobëtit, ndërsa të fortët e shkruajnë atë për të mbrojtur veten; ku do tё vulosej pёrfundimisht “karta” e një sistemi ku drejtësia është një iluzion për popullin dhe një privilegj për pakicën.
Ҫ’mund tё thonё ekspertët e ligjit mbi këtë absurditet, ku kёrkohet tё reformohet “reforma” duke përjetësuar pushtetin e atyre qё e bёjnё atё?
Një debat i vërtetë politiko- juridik mund tё “shpёtojё” popullin nga pushtimi demokratik qё do bёjё neni 242.
Njё debat ku vetё populli do lejohet tё bёjё disa pyetje…
Presidenti?
Presidenti i Republikës kёrkohet tё pёrjashtohet nga pёrgjegjёsia penale, nё njё vend ku presidenti nuk zgjidhet sipas ligjit elektoral. Mos ndoshta jemi në Republikë Presidenciale dhe populli nuk e di?
Avokati i Popullit?
Avokati i Popullit ka për detyrë që të mbrojë të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.
A duhet të ketё imunitet nëse nuk mbron sa më sipër? A nuk udhëhiqet Avokati i Popullit nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë? Apo duhet të presim që pasi tё bёhet partner ose ortak i qeverisjes duke mos e cёnuar atё dhe administratёn e saj, të gëzojë edhe imunitet të pakufizuar?
Guvernatori i Bankёs sё Shqipёrisё
Po Guvernatori e Bankës së Shqipërisë a nuk është një administrator? Neni 53 i ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, e përcakton se ai, Guvernatori, vepron si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës së Shqipërisë, i ngarkuar për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të saj. Ai përgjigjet përpara Këshillit Mbikëqyrës për zbatimin e vendimeve të miratuara prej kёtij kёshilli.
Atёherё, pse anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë mund të pezullohen, ndërsa Guvernatori jo? Apo Guvernatori mund të gjysёm apo çerek pezullohet si anëtar ose kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, dhe jo si Guvernator?
Ferma e Kafshëve
Shprehja emblematike: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat” e George Orwell te “Ferma e Kafshëve” mbetet njё busull satirike pёr tё gjitha shoqёritё, veҫanёrisht ato me mendёsi totalitariste, qё nё 1945.
Alegoria orwelliane mbetet aktuale edhe sot, jo vetёm nё shoqёrinё tonё, por nё shumё vende qё demokracinё e ligjit e barazojnё me diferencimin ndaj tij. Nё disa prej tyre, neni “242” bёri histori duke i kthyer kёto vende nё ferma. Ato përfunduan në diktatura të udhëhequra nga “derrat”.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






