Dita e Verës është një nga festat më të mëdha kombëtare në Shqipëri dhe kremtohet zyrtarisht më 14 mars. Por për besimtarët ortodoksë, kjo festë shënon ardhjen e stinës së ngrohtë më 1 mars, ditën e parë të muajit, që konsiderohet e shenjtë dhe simbol i largimit të dimrit.
Sipas traditës së lashtë shqiptare, Dita e Verës ishte fillimi i vitit sipas kalendarit të hershëm të paraardhësve tanë, shumë shekuj përpara lindjes së krishtërimit. Për ortodoksët, kjo datë ruan kuptimin e saj të parë: nisjen e një cikli të ri, me dritë, ngrohtësi dhe shpresë.
Mbrëmjen e 28 shkurtit, në prag të 1 marsit, në lagje dhe qytete ndizen zjarre simbolike. Rreth tyre mblidhen familje e komunitete, ndërsa kapërcimi i flakëve shihet si një ritual për të larguar të keqen dhe për të sjellë mbarësi gjatë vitit që nis. Në shtëpi përgatitet kulaçi i ëmbël, i shoqëruar me fiq të thatë, si pjesë e tryezës tradicionale.
Po atë mbrëmje vendoset edhe verorja – fija e kuqe me të bardhë, simbol i kësaj dite. Fija e kuqe lidhet me forcën, gjakun, diellin dhe ngrohtësinë, ndërsa e bardha përfaqëson fillimin e mbarë dhe dritën. Verorja mbahet deri sa të shihet dallëndyshja e parë, moment kur hiqet dhe vendoset në degët e trëndafilave apo të pemëve pranë shtëpisë.
Kjo festë e lashtë ka tërhequr vëmendjen edhe të mendimtarëve shqiptarë. Shkrimtari dhe diplomati Faik Konica e përkufizonte Ditën e Verës si një trashëgimi të hershme të racës sonë, që daton nga koha kur stërgjyshërit tanë, bashkë me romakët dhe grekët e lashtë, kremtonin perënditë e luleve dhe të natyrës.
“Dita e Verës është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur Krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekët e vjetër perënditë e luleve, të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël… Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës”, shkruante Konica.
Sipas tij, kjo është një festë e vjetër e racës sonë që nuk i bën dëm askujt, por sjell gëzim të pastër në shtëpi. Për të vegjlit është një rast i rrallë për t’u dëfryer, ndërsa për më të rriturit mbart një shije poetike, të hollë e të rrallë.
Për të gjithë besimtarët ortodoksë, gëzuar 1 Marsin – Ditën e Verës!






