Komiteti i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së ka votuar për të thirrur tё dëshmojё Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, në kuadër të hetimit parlamentar që lidhet me çështjen e Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtores së tij Ghislaine Maxwell.
Vendimi u miratua me 24 vota pro dhe 19 kundër, pasi pesë republikanë në komision u bashkuan me demokratët për të mbështetur mocionin për thirrjen e saj në Kongres. Mocioni u paraqit nga përfaqësuesja republikane Nancy Mace, e cila ka qenë një nga zërat më kritikë ndaj mënyrës se si Departamenti i Drejtësisë ka trajtuar dokumentet që lidhen me çështjen Epstein.
Përveç Mace, në favor të mocionit votuan edhe republikanët Tim Burchett nga Tennessee, Lauren Boebert nga Colorado, Michael Cloud nga Teksasi dhe Scott Perry nga Pensilvania.
Në një reagim në rrjetin social X pas votimit, Mace shkroi se presioni për transparencë po rritet.
“Populli amerikan dëshiron përgjigje për dosjet Epstein, dhe kështu bëjmë edhe ne,” deklaroi ajo.
Vendimi për ta detyruar Bondin të dëshmojë vjen mes kritikave në rritje nga ligjvënës të të dy partive për mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë ka menaxhuar dokumentet që lidhen me hetimet ndaj Epstein. Mes kritikave përmenden publikimi aksidental i emrave të disa viktimave dhe redaktimi pa shpjegime i emrave të personave që mund të kenë qenë të përfshirë në abuzime.
Edhe ligjvënësit demokratë kanë kërkuar më shumë transparencë. Anëtari i komisionit Ro Khanna deklaroi se rasti kërkon bashkëpunim ndërpartiak.
Pam Bondi ёshtё përballur edhe më herët me kritika gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve në shkurt, ku pati përplasje të forta me ligjvënësit demokratë.
Gjatë asaj seance ajo shmangu t’u përgjigjej disa pyetjeve për trajtimin e dosjeve Epstein dhe u përfshi në një debat verbal me përfaqësuesin demokrat Jamie Raskin, të cilit i tha: “Je një avokat i dështuar. Ti nuk je as avokat.”
Çështja Epstein vazhdon të mbetet një nga skandalet më të mëdha të abuzimit seksual dhe trafikut të të miturve në SHBA, me presion të vazhdueshëm publik dhe politik për publikimin e plotë të dokumenteve dhe identifikimin e personave që mund të kenë qenë të përfshirë në rrjetin e tij.






