Rusia po ndihmon përpjekjet luftarake të Iranit duke i dhënë informacione inteligjence mbi vendndodhjet dhe lëvizjet e trupave, anijeve dhe avionëve amerikanë, sipas disa personave të njohur me raportimet e inteligjencës amerikane për këtë çështje. Ky konsiderohet treguesi i parë se Moska mund të jetë përpjekur të përfshihet në konflikt.
Një nga burimet tha se pjesa më e madhe e informacionit që Rusia ka ndarë me Iranin përbëhet nga imazhe të marra nga konstelacioni i avancuar i satelitëve rusë.
Nuk është ende e qartë se çfarë përfiton Rusia në këmbim të kësaj ndihme dhe as nëse ndonjë sulm i veçantë iranian mund të lidhet drejtpërdrejt me informacionin e inteligjencës ruse që synonte objektivat. Lajmi për këtë bashkëpunim u raportua për herë të parë nga Washington Post.
Disa dronë iranianë kanë goditur kohët e fundit pozicione ku ndodheshin trupa amerikane. Sipas CNN, një dron iranian goditi të dielën një strukturë të improvizuar ku strehoheshin ushtarë amerikanë në Kuvajt, duke vrarë gjashtë pjesëtarë të ushtrisë amerikane.
Një nga burimet e njohura me raportet e inteligjencës tha: “Kjo tregon se Rusia ende e pëlqen shumë Iranin.”
Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu informacione që sugjerojnë se Kina mund të jetë duke u përgatitur t’i ofrojë Iranit ndihmë financiare, pjesë këmbimi dhe komponentë për raketa, sipas tre personave të njohur me çështjen. Megjithatë Pekini deri tani ka qëndruar jashtë luftës.
Kina mbështetet shumë në naftën iraniane dhe thuhet se ka ushtruar presion mbi Teheranin për të siguruar kalimin e lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit. “Kina është më e kujdesshme në mbështetjen e saj. Ajo dëshiron që lufta të përfundojë sepse rrezikon furnizimin e saj me energji”, tha një nga burimet e njohura me situatën.
CIA nuk pranoi të komentojë mbi këto informacione. CNN i ka kërkuar gjithashtu ambasadës kineze në Uashington të reagojë për raportet se Pekini mund të ndihmojë Iranin.
I pyetur për raportet mbi shkëmbimin e inteligjencës mes Rusisë dhe Iranit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi në emisionin “60 Minutes” të CBS News se autoritetet amerikane po monitorojnë nga afër situatën. “Ne po gjurmojmë gjithçka. Populli amerikan mund të jetë i sigurt se komandanti i tyre i përgjithshëm është i vetëdijshëm se kush po flet me kë”, tha ai.
Ai shtoi se çdo veprim që nuk duhet të ndodhë, qoftë publik apo i fshehtë, po përballet dhe do të përballet me forcë. Megjithatë Hegseth u tha gazetarëve të mërkurën se Rusia dhe Kina “nuk janë realisht një faktor” në luftën me Iranin.
Rusia dhe Irani kanë bashkëpunuar ngushtë për të paktën tre vitet e fundit në teknologjinë e raketave dhe dronëve. Irani i ka furnizuar Rusisë dronë Shahed dhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi për të goditur objektiva në Ukrainë dhe ka ndihmuar në ngritjen e një fabrike të madhe dronësh për prodhimin e dronëve të projektuar nga Irani brenda Rusisë.
Nga ana tjetër, Irani ka kërkuar ndihmën e Rusisë për të forcuar programin e tij bërthamor, sipas raportimeve të CNN.
Operacioni ushtarak amerikan kundër Iranit përfshin aktualisht më shumë se 50,000 trupa, mbi 200 avionë luftarakë dhe dy aeroplanmbajtëse, tha këtë javë komandanti i CENTCOM-it, Admirali Brad Cooper. Zyrtarët e administratës amerikane nuk kanë bërë të ditur se sa mund të zgjasë konflikti.
Sipas Pentagonit, objektivi kryesor ushtarak i SHBA-së është eliminimi i kapaciteteve të raketave balistike të Iranit, të cilat Sekretari i Mbrojtjes Hegseth tha se Teherani po i përdor si një “mburojë” për të zhvilluar programin e tij bërthamor.
(Burimi: CNN)






