Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në një intervistë për CNN se Kuba mund të përballet së shpejti me një ndryshim të madh politik, duke thënë se vendi “do të bjerë shumë shpejt”.
“Kuba do të bjerë shumë shpejt, meqë ra fjala. Nuk ka lidhje me këtë çështje, por edhe Kuba do të bjerë. Ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje”, i tha Trump gazetares së CNN Dana Bash gjatë një interviste telefonike, ndërsa fliste për atë që ai e quajti sukses ushtarak të SHBA-së gjatë mandatit të tij të dytë.
Trump tha se administrata e tij mund të angazhojë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për t’u marrë me situatën në Kubë.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje, kështu që unë do ta dërgoj Marcon (Rubion) atje dhe do të shohim se si do të funksionojë kjo. Jemi vërtet të përqendruar në këtë tani. Kemi shumë kohë, por Kuba është gati – pas 50 vitesh”, u shpreh ai, duke theksuar se për momentin përparësia kryesore e administratës së tij është konflikti me Iranin.
Një ditë më parë, gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh se është vetëm “çështje kohe” para se kubano-amerikanët të mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës, duke sugjeruar se Kuba mund të jetë çështja e radhës në axhendën e administratës së tij pas luftës me Iranin.
(Burimi: CNN)






