Lufta në Iran ka vrarë qindra civilë, ka zhvendosur qindra mijëra njerëz, ka rritur ndjeshëm çmimet globale të naftës dhe ka tronditur stabilitetin e Lindjes së Mesme. Por ndërsa shumë vende po përballen me pasojat e konfliktit, për një shtet të paktën situata duket se ka krijuar mundësi të reja: Rusinë.
Analistët thonë se Moska po shfaqet si një nga përfitueset e para të konfliktit, duke marrë avantazhe ekonomike dhe gjeopolitike nga efektet dytësore të luftës, ndërsa vendet e tjera mbajnë kostot.
Rusia është ndër vendet e pakta që ka ruajtur marrëdhënie të afërta me Teheranin. Moska dënoi sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, duke i cilësuar ato një “akt të planifikuar dhe të paprovokuar agresioni ndaj një shteti sovran”.
Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi gjithashtu vrasjen e udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei, duke e quajtur atë një “vrasje cinike”.
Megjithatë, edhe pse Rusia mund të humbasë një aleat të rëndësishëm në rajon, analistët thonë se në afat të shkurtër Moska mund të përfitojë nga situata.
Robert Person, studiues në Institutin për Kërkime të Politikës së Jashtme në SHBA, thotë se kjo ishte një situatë e parashikueshme.
“Sipas gjasave, Putin dhe këshilltarët e tij kanë arritur në përfundimin se një luftë në Iran i shërben interesave të Rusisë në afat të shkurtër: çmime më të larta të energjisë, një shpërqendrim global nga lufta në Ukrainë dhe rreziku që SHBA të përfshihet në një tjetër konflikt të gjatë në Lindjen e Mesme,” thotë ai.
Një nga përfitimet më të menjëhershme për Rusinë lidhet me tregun e energjisë.
Pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, Moska u përball me sanksione të rënda ekonomike, përfshirë kufizime në eksportin e energjisë dhe një tavan për çmimin e naftës ruse.
Por tani, për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rrezikut për furnizimin global me energji, kërkesa për naftën ruse është rritur.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se lufta në Iran ka sjellë një “rritje të konsiderueshme të kërkesës për energjinë ruse”.
Para konfliktit, Rusia ishte e detyruar të shiste naftën e saj me një zbritje. Tani, sipas Reuters, ajo po e shet naftën me një ҫmim normal.
Një tjetër efekt i luftës mund të jetë edhe dobësimi i mbrojtjes së Ukrainës.
Ukraina tashmë përballet me mungesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot, raketa shumë të shtrenjta amerikane që përdoren për të rrëzuar raketa balistike dhe dronë.
Por me konfliktin në Iran, SHBA po përdor të njëjtat sisteme për të mbrojtur bazat dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme nga sulmet iraniane.
Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, paralajmëroi se situata për Ukrainën mund të bëhet kritike.
“Amerikanët nuk do të jenë në gjendje të furnizojnë mjaftueshëm raketa si për vendet e Gjirit, ashtu edhe për ushtrinë e tyre dhe për Ukrainën,” tha ai.
Ndërkohë Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës. Vetëm gjatë një nate, sipas autoriteteve ukrainase, Rusia lëshoi të paktën 450 dronë dhe 19 raketa kundër qytetit të Kharkivit, duke vrarë të paktën 10 persona.
Në të njëjtën kohë, disa media amerikane raportojnë se Rusia mund të ketë ndarë informacione inteligjence me Iranin, përfshirë vendndodhjen e anijeve dhe avionëve amerikanë në rajon.
Shtëpia e Bardhë nuk i ka mohuar plotësisht këto raportime, por ka minimizuar ndikimin e tyre.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se ushtria amerikane i merr parasysh këto faktorë dhe se nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për operacionet.
Megjithatë analistët thonë se çdo zhvillim që e bën më të vështirë projektimin e fuqisë ushtarake amerikane në rajon ndryshon balancën gjeopolitike në favor të Moskës.
Sipas Robert Person, kjo është pikërisht ajo që Rusia kërkon.
“Çdo gjë që e komplikon ose dobëson aftësinë e SHBA për të projektuar fuqinë e saj ushtarake në botë, përfundimisht e zhvendos balancën gjeopolitike në favor të Rusisë,” tha ai.
(Burimi: Times)






