Rripi “BMF” (Baddest Motherf***er) ose “Rrahësi më i keq” i UFC-së është një titull simbolik që përfaqëson luftëtarin më të fortë dhe më emocionues, në vend të një kategorie specifike peshe. I krijuar në vitin 2019 nga Dana White (president i UFC), ky titull jo-divizional është kthyer në shumë prestigjioz dhe shpesh për fitimin e tij konkurrohet nga më të preferuarit e tifozëve.
Charles Oliveira, 36 vjeçari brazilian, ish kampion i botës në peshën 155 lbs (70 Kg), e fitoi mbrëmë në Las Vegas (T.Mobile Arena) titullin BMF-së pas një ndeshjeje të cilësuar si masterklas i ‘Grappling’ dhe ‘Jiu-Jitsu’ kundër të famshmit nga HAWAI, Max Holloway në eventin kryesor të mbrëmjes – UFC 326. Të dy ish kampionë bote në dy divizione peshash u përballën në një ndeshje që pritej më luftarake nga publiku, por që Oliveira e ktheu në një ndeshje “shahu” me 5 raunde të fituara tërësisht, duke e mbajtur kundërshtarin në tapet gjithë kohën nën kërcënimin e “via submission” (dorëzimit) me “rear-naked choke”, një pozicion fatal ky i krahëqafës, ku luftëtarët e arteve kanë vetëm dy mundësi: të dorëzohen ose të kthehen në trupa pa “jetë”, pa ndjenja.

Dyluftimi si rrallëherë “mbeti” shtrirë në tapet për 20 minuta nga 25 gjithsej. Kapjet mjeshtërore të Oliveirës gjatë gjithë kohës dhe gjatë gjithë ndeshjes bënë që performanca e jashtëzakonshme e tij ta izolonin plotësisht Holloway, të mos i jepnin asnjë shans atij të reagonte dhe ta shpallnin fituesin e katërt BMF në historinë e UFC-së dhe sportistin e parë që mbajti si titullin BMF ashtu edhe titullin e padiskutueshëm të peshave të lehta deri 70 kg në karrierën e tij.
Sfidat e ardhshme në UFC për titullin e peshave të lehta janë konfirmuar të bëhen në “kartën” më të famshme të të gjitha kohërave: UFC Freedom 250 që do të zhvillohet me “lejen” e Trump, në Shtëpinë e Bardhë.







