Turqia njoftoi se një tjetër municion balistik i lëshuar nga Irani dhe që kishte hyrë në hapësirën ajrore turke është neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes së NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor. Ministria turke e Mbrojtjes bëri të ditur se bëhet fjalë për incidentin e dytë të tillë brenda një jave.
Sipas autoriteteve turke, mbetjet e municionit ranë në një zonë të pabanuar pranë qytetit juglindor Gaziantep, pa shkaktuar viktima apo të lënduar. Në një deklaratë zyrtare, ministria theksoi se Turqia i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe stabilitetit rajonal, por paralajmëroi se do të ndërmarrë masa vendimtare ndaj çdo kërcënimi që drejtohet ndaj territorit dhe hapësirës së saj ajrore.
Incidenti pason një ngjarje të ngjashme më 4 mars, kur një tjetër municion i lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke u kap nga sistemet e mbrojtjes së NATO-s pasi u zbulua se po kalonte mbi Irak dhe Siri drejt Turqisë. Autoritetet turke deklaruan një ditë më pas se Ankaraja “rezervon të drejtën të reagojë ndaj veprimeve armiqësore pavarësisht nga origjina e tyre”.
Nga ana tjetër, forcat e armatosura iraniane mohuan se kanë lëshuar ndonjë raketë drejt territorit turk, duke deklaruar përmes mediave shtetërore se Teherani respekton sovranitetin e Turqisë.
Këto zhvillime ndodhin në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit që nisën më 28 shkurt, të cilave Irani iu përgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave amerikane në rajon.
Megjithëse situata mbetet e tensionuar, Turqia deri tani ka shmangur përfshirjen direkte në goditje ushtarake, edhe pse në territorin e saj ndodhen disa baza ku janë të stacionuara trupa amerikane. Një nga më të rëndësishmet është baza ajrore e Incirlikut, rreth 10 kilometra nga qyteti Adana, një strukturë kyçe e NATO-s që përdoret prej dekadash nga forcat amerikane.
Në të njëjtën kohë, autoritetet amerikane kanë këshilluar personelin dytёsor të largohet nga konsullata pranë Adanës dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga Turqia juglindore, sipas një njoftimi të ambasadës së SHBA-së në Ankara shpёrndarё ditёn e sotme.
Paralelisht me këto zhvillime, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se ka dërguar gjashtë avionë luftarakë F-16 në Qipron turke si masë sigurie, vetëm disa ditë pasi ishulli u godit nga një sulm me dron.
Sipas Ankarasë, avionët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore janë vendosur në territorin e Qipros turke për shkak të zhvillimeve të fundit në rajon. Në pjesën jugore të ishullit, të njohur si Qipro greke, një dron i prodhimit iranian goditi më 2 mars një bazë britanike. Autoritetet qipriote greke deklaruan se droni me shumë gjasa ishte lëshuar nga grupi militant Hezbollah në Liban, i mbështetur nga Irani, dhe jo drejtpërdrejt nga Teherani.
Pas këtij incidenti, disa vende evropiane u zotuan të ndihmojnë Qipron greke duke dërguar sisteme të mbrojtjes ajrore dhe mjete të tjera ushtarake.
Megjithatë, ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güler, përsëriti me kёtё rast thirrjen që Turqia të rikthehet në programin amerikan të avionëve luftarakë F-35, duke theksuar se kjo do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Uashingtonit si dhe në sigurinë e NATO-s.
Turqia u përjashtua nga programi F-35 pasi bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400. SHBA argumenton se ky sistem mund t’i japë Rusisë mundësi të mbledhë informacione mbi aftësitë e avionit stealth. Megjithatë, Ankaraja ka theksuar se S-400 do të përdoret si një sistem i pavarur dhe nuk do të integrohet në strukturat e NATO-s.






