Zgjimet e shpeshta gjatё natёs dhe ndёrprerja e gjumit mund të kenë pasoja shumë më të mëdha sesa thjesht lodhja e mëngjesit. Sipas specialistëve të shëndetit, mungesa e gjumit ndikon pothuajse në çdo sistem të trupit, nga funksionimi i trurit deri te metabolizmi dhe mënyra se si përballemi me stresin.
Ekspertët rekomandojnë që shumica e të rriturve të flenë të paktën 7 orë në natë për të ruajtur shëndetin. Por jo vetëm kohëzgjatja ka rëndësi – edhe cilësia e gjumit është po aq e rëndësishme. Gjumi duhet të jetë relativisht i vazhdueshëm, pa ndërprerje të shumta, në mënyrë që truri dhe trupi të kalojnë në fazat e gjumit të thellë dhe të ëndrrave (REM), të domosdoshme për rikuperimin fizik dhe mendor.
Kur gjumi është i shkurtër ose i fragmentuar, trupi hyn në një gjendje stresi fiziologjik që me kalimin e kohës mund të ketë pasoja të shumta.
Pasojat kryesore të mungesës së gjumit përfshijnë:
Rënie të përqendrimit dhe vigjilencës – Edhe një natë me pak gjumë mund të ulë aftësinë për t’u përqendruar dhe të ngadalësojë reagimet. Kjo lidhet edhe me rritjen e gabimeve në punë, në studim dhe në drejtimin e automjetit.
Dobësim të kujtesës dhe të të nxënit – Gjatë gjumit, truri organizon informacionin e ri dhe e transferon atë nga kujtesa afatshkurtër në atë afatgjatë. Kur flemё pak, ky proces dëmtohet dhe aftësia për të mbajtur mend informacionin e ri zvogëlohet.
Rritje të konsumit të kalorive – Studimet tregojnë se njerëzit që flenë pak kanë tendencë të konsumojnë qindra kalori më shumë ditën pasuese, kryesisht në formën e ushqimeve të lehta dhe snacks.
Çrregullim të hormoneve të urisë – Mungesa e gjumit ndikon në dy hormone kryesore që rregullojnë oreksin: ghrelin, që rrit ndjesinë e urisë, dhe leptin, që sinjalizon ngopjen. Kur gjumi është i pamjaftueshëm, balanca mes tyre prishet dhe rritet dëshira për ushqim.
Dëshirë më e madhe për sheqer dhe karbohidrate – Truri i lodhur kërkon burime të shpejta energjie, ndaj njerëzit që flenë pak priren të zgjedhin ushqime të pasura me sheqer dhe yndyrë.
Ulje të ndjeshmërisë ndaj insulinës – Edhe një javë me gjumë të pamjaftueshëm mund të ndikojë në mënyrën se si trupi rregullon nivelin e sheqerit në gjak, duke rritur rrezikun për probleme metabolike.
Reagim më i fortë ndaj stresit – Mungesa e gjumit dhe stresi ndikojnë njëri-tjetrin. Njerëzit që flenë pak raportojnë më shumë tension, nervozizëm dhe vështirësi për të përballuar situatat stresuese.
Rritje të yndyrës abdominale – Studimet tregojnë se vetëm dy javë gjumë i shkurtër mund të çojnë në shtim peshe dhe rritje të yndyrës në zonën e barkut.
Më pak aktivitet fizik dhe rikuperim më i dobët i muskujve – Lodhja ul performancën fizike dhe ngadalëson procesin e rikuperimit të muskujve, pasi ndikon edhe në hormonet që lidhen me ndërtimin e masës muskulore.
Ekspertët theksojnë se, edhe kur nuk është gjithmonë e mundur të kontrollohet kohëzgjatja e gjumit, është e rëndësishme të ruhet një stil jetese sa më i shëndetshëm. Ushqimi i balancuar, menaxhimi i stresit dhe, kur është e mundur, një pushim i shkurtër gjatë ditës mund të ndihmojnë në kompensimin e mungesës së gjumit. Edhe një orë shtesë gjumë mund të bëjë një ndryshim të dukshëm për trupin dhe mendjen.
(Burimi: The Jerusalem Post)






