Parlamenti britanik ka miratuar një reformë historike që i jep fund një sistemi shekullor, duke hequr vendet e trashëguara në Dhomën e Lordëve, dhomën e sipërme të parlamentit. Ligji i ri parashikon që askush të mos mund të ulet më në këtë institucion vetëm për shkak të titullit aristokratik të trashëguar.
Dhoma e Lordëve miratoi të martën në mbrëmje projektligjin (Hereditary Peers Bill), duke përmbushur një reformë që kishte nisur më shumë se 25 vjet më parë dhe që ishte një nga premtimet kryesore të qeverisë laburiste të kryeministrit Keir Starmer për modernizimin e parlamentit.
Angela Smith, drejtuese e Dhomës së Lordëve, tha se ky institucion ka një rol të rëndësishëm në sistemin parlamentar britanik me dy dhoma, por theksoi se vendet në parlament nuk duhet të mbahen më për shkak të trashëgimisë familjare.
“Dhoma e Lordëve luan një rol jetik në parlamentin tonë bikameral, por askush nuk duhet të jetë pjesë e saj vetëm për shkak të një titulli të trashëguar,” deklaroi ajo.
Reforma mbyll një kapitull të gjatë në historinë e këtij institucioni. 92 lordë qё kishin trashëguar titullin, kishin ende të drejtën të uleshin dhe të votonin në Dhomën e Lordëve. Ky numër ishte një kompromis i përkohshëm që kishte mbetur në fuqi që nga viti 1999, kur qeveria laburiste e Tony Blair hoqi më shumë se 600 vende aristokratike, duke e quajtur sistemin një “anakronizëm”.
Sipas sistemit të ri, rreth 15 lordë konservatorë të trashëguar pritet të marrin tituj të përjetshëm në mënyrë që të vazhdojnë të qëndrojnë në dhomë, ndërsa vendimi për emrat do t’i takojë partisë.
Dhoma e Lordëve, e vendosur në Pallatin e Westminsterit, numëron aktualisht rreth 800 anëtarë. Shumica e tyre emërohen për jetë nga kryeministri, me rekomandim të partive politike ose të një komisioni të pavarur. Në përbërje janë gjithashtu edhe disa peshkopë të Kishës së Anglisë.
Prej vitesh, kritikët kanë kërkuar reforma më të thella të këtij institucioni, duke argumentuar se mënyra e emërimeve ka favorizuar nepotizmin dhe ka krijuar dhomën e sipërme më të madhe në botë, më të madhe se 650 deputetët e zgjedhur që përbëjnë Dhomën e Komuneve.
Megjithëse Dhoma e Lordëve mund të ndryshojë projektligjet, ajo nuk ka fuqinë t’i bllokojë ato përfundimisht. Vendimet e saj mund të anashkalohen nga Dhoma e Komuneve, që është dhoma e zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.
Miratimi i këtij ligji shihet si një hap i rëndësishëm drejt reformimit të një prej institucioneve më të vjetra politike në botë dhe drejt një sistemi parlamentar më modern.
(Burimi: Reuters)






