Tre vëllezër norvegjezë janë arrestuar me dyshimin për një “sulm terrorist me bombë” ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Oslo, një incident që ndodhi gjatë fundjavës dhe shkaktoi vetëm dëme të vogla materiale, pa persona të lënduar.
Prokurori i policisë, Christian Hatlo, njoftoi gjatë një konference për shtyp se tre të dyshuarit – shtetas norvegjezë me origjinë irakiane dhe në të njëzetat – u arrestuan në Oslo, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin motivin e sulmit.
“Ne ende po punojmë mbi disa hipoteza. Njëra prej tyre është nëse ky është një urdhër nga një entitet qeveritar. Kjo është mjaft e natyrshme duke pasur parasysh objektivin – ambasadën amerikane – dhe situatën e sigurisë në të cilën ndodhet bota sot”, tha Hatlo.
Sipas hetimeve paraprake, policia beson se njëri nga vëllezërit është personi që vendosi bombën jashtë ambasadës, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kanë vepruar si bashkëpunëtorë në organizimin e sulmit. Hatlo theksoi se asnjё prej të treve nuk ka qёnë më parë i njohur për policinë.
Në të njëjtën kohë, Shërbimi norvegjez i sigurisë, PST, kishte paralajmëruar në raportin e tij vjetor të kërcënimeve muajin e kaluar se Irani konsiderohet një nga kërcënimet kryesore për Norvegjinë dhe mund të përdorë aktorë të ndërmjetëm, përfshirë rrjete kriminale, për të kryer akte të tilla.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit sipas kohës lokale të së dielës, pranë hyrjes së seksionit konsullor të ambasadës amerikane në Oslo.
Incidenti ndodh në një moment kur ambasadat amerikane në disa rajone të botës, veçanërisht në Lindjen e Mesme, janë vendosur në gatishmëri të lartë sigurie pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit. Disa prej tyre janë përballur me incidente të ngjashme, ndërsa Teherani është akuzuar se po përgjigjet duke synuar objekte industriale dhe diplomatike.

(Burimi: The Guardian)






