Një nga shtatë anëtaret e ekipit iranian të futbollit që kishte pranuar strehim në Australi ndryshoi papritur mendje, duke detyruar autoritetet australiane të zhvendosin me urgjencë gjashtë gratë e tjera në një vend tjetër sekret pasi ajo zbuloi vendndodhjen e tyre tek Ambasada Iraniane.
Ministri australian i Punëve të Brendshme, Tony Burke, i tha Parlamentit të mërkurën se gruaja, e cila kishte pranuar ofertën për vizë të martën në mbrëmje, u konsultua me anëtarë të ekipit që tashmë ishin larguar nga Australia dhe më pas kërkoi t’u bashkohej atyre.
“Fatkeqësisht, gjatë marrjes së këtij vendimi, shokët e ekipit dhe trajneri i saj e kishin këshilluar që të kontaktonte Ambasadën Iraniane qё ta merrte gruan”, tha Burke, pa e bërë publik identitetin e saj. “Unë menjëherë dhashë udhëzime që pjesa tjetёr e ekipit tё zhvendoseshin.”
Para këtij zhvillimi, lojtaret ndodheshin nën mbrojtjen e Policisë Federale Australiane në një vendndodhje sekrete në Brisbane, me qëllim parandalimin e çdo përpjekjeje nga besnikët e regjimit iranian për t’i bindur ose detyruar ato të ktheheshin në Iran.
Frika për sigurinë e tyre u rrit ndjeshëm pasi mediat shtetërore iraniane i etiketuan si tradhtare javën e kaluar, për shkak se nuk kënduan himnin kombëtar para ndeshjes së tyre hapëse në Kupën e Azisë që po zhvillohet në Australi. Në Iran, mospajtimi me regjimin shpesh ndëshkohet rëndë, një realitet që u bë i dukshëm në fillim të këtij viti kur mijëra protestues u vranë gjatë demonstratave kundër qeverisë. Autoritetet iraniane i atribuuan shumicën e këtyre vrasjeve “rebelëve” që, sipas tyre, ishin pjesë e një komploti të organizuar dhe të udhëhequr nga Izraeli.
Ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, theksoi se qeveria e saj ishte e vetëdijshme për rrezikun që rёndon mbi vajzat nëse do të ktheheshin në vendin e tyre. “E dimë që ky regjim është angazhuar në trajtim brutal të grave dhe vajzave… prandaj qeveria bëri kaq shumë përpjekje për t’u siguruar që njerëzve t’u jepej mundësia për të qëndruar”, tha ajo për CNN.
Australia kishte parashikuar mundësinë e kërkesave për azil që përpara fillimit të turneut me 12 ekipe dhe kishte kryer kontrolle sigurie për të identifikuar se kush mund të kualifikohej për mbrojtje. Situata u bë edhe më e ndërlikuar pas mbërritjes së ekipit në Australi, kur SHBA-të dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit, duke përshkallëzuar një konflikt që e shndërroi një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme në zonë lufte.
Teherani reagoi me zemërim ndaj ndërhyrjes së Australisë. Ministria e Jashtme iraniane u bëri thirrje grave të ktheheshin në vend. “Mos u shqetësoni – Irani ju pret me krahë hapur”, tha një zëdhënës të martën.
Më herët gjatë së njëjtës ditë, Burke konfirmoi se shtatë gra – gjashtë lojtare dhe një anëtare e stafit – kishin pranuar ofertën për vendosje të përhershme në Australi. Sipas tij, shumica e anëtarëve të delegacionit iranian patën mundësinë të zhvillonin takime private me zyrtarët australianë, të organizuara nën masa të forta sigurie për t’i mbajtur të ndarë nga rojet iraniane.
“Të gjithë lojtaret e mbetura dhe shumica e mbështetësve u çuan në dhomat e intervistave pa praninë e asnjë roje, vetëm ato vetë, Departamenti i Punëve të Brendshme dhe një përkthyes, dhe atyre iu dha një zgjedhje”, tha Burke. “Në atë situatë, u siguruam qё tё mos kishte nxitim dhe presion.”
Pjesa tjetër e ekipit u largua nga Sidnei të martën drejt Malajzisë dhe mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuala Lumpurit. Një video e publikuar në rrjetet sociale tregonte anëtarë të komunitetit iranian që i nxisnin të mos ktheheshin në Iran.
Nga ana tjetër, Mehdi Taj, kreu i Federatës Iraniane të Futbollit, akuzoi Australinë se i kishte marrë lojtaret “peng”, duke përmendur edhe ndërhyrjen e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte bërë thirrje që atyre t’u ofrohej azili. Sipas Taj, Trump kishte shkruar në Twitter se nëse disa prej lojtareve qëndronin në Australi, atëherë edhe të tjerat duhej të qëndronin, madje kishte paralajmëruar se SHBA-të do t’u ofronin azil nëse Australia nuk e bënte këtë.
Përpara ndeshjes së parë të turneut më 2 mars, lojtaret iraniane qëndruan në heshtje gjatë himnit kombëtar. Burime pranë ekipit i thanë CNN Sports se më pas ato u detyruan, nën kërcënime ndaj familjeve të tyre, të këndonin himnin përpara dy ndeshjeve të tjera në grup.
Anëtarë të komunitetit iranian në Australi kishin marrë pjesë në ndeshjet e ekipit për të treguar mbështetje. Por të dielën, disa prej tyre u përpoqën të ndalonin kthimin e lojtareve në Iran duke sulmuar autobusin e ekipit teksa ai po kthehej në hotel.
Gazetarja sportive Raha Pourbakhsh i tha CNN Sports se familjet e tre prej lojtareve që kishin pranuar azilin ishin kërcënuar. Një dëshmitar pranë hotelit tha se disa persona u përpoqën të bllokonin autobusin e ekipit që po nisej drejt Aeroportit Gold Coast për fluturimin drejt Sidneit. Sipas tij, një nga lojtaret dukej se po qante ndërsa persona që dukeshin si roje sigurie i shoqëronin drejt autobusit.
Burke tha se kishte folur me komisionerin e Policisë Federale Australiane përpara se të jepeshin vizat për t’u siguruar se lojtaret do të mund të mbroheshin në Australi. Për gjashtë gratë që mbetën, ai tha se do të nisë procesi për kalimin në atë që quhet “zgjidhje e statusit”, që çon drejt një vize të përhershme.
Burke shtoi gjithashtu se asnjë anëtari të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike nuk i ishte dhënë vizë afatshkurtër për turneun, duke theksuar gjithsesi se marrja e një vize të përkohshme nuk do të thotë domosdoshmërisht se një person konsiderohet i besueshëm.
(Burimi: CNN)






