Një studim i ri ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e ushqimit që konsumojmë çdo ditë. Sipas një hetimi të publikuar së fundmi, një përqindje e konsiderueshme e frutave dhe perimeve të prodhuara në mënyrë konvencionale përmbajnë gjurmë të pesticideve që i përkasin grupit të kimikateve të njohura si PFAS, të quajtura ndryshe edhe “kimikatet e përjetshme”.
Këto substanca, të njohura shkencërisht si perfluoroalkile dhe polifluoroalkile, quhen kështu sepse shpërbëhen jashtëzakonisht ngadalë në mjedis. Lidhjet e forta molekulare mes karbonit dhe fluorit mund të zgjasin vite, dekada apo edhe shekuj përpara se të degradojnë plotësisht. Sot vlerësohet se ekzistojnë rreth 15 mijë lloje të ndryshme PFAS.
Studimi, i bazuar në analizën e qindra mostrave të frutave dhe perimeve, zbuloi se rreth 37% e mostrave të testuara përmbanin pesticide PFAS, ndërsa disa produkte kishin edhe disa kimikate të tilla njëkohësisht.
Ekspertët paralajmërojnë se këto pesticide përdoren pikërisht sepse janë shumë efektive në shkatërrimin e kërpudhave, insekteve dhe mikroorganizmave – por kjo është edhe arsyeja pse ato ngjallin shqetësim për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin.
“Nuk ka mënyrë për të kontrolluar dëmin,” tha Bernadette Del Chiaro nga organizata Environmental Working Group (EWG), e cila përgatiti raportin. “Nuk mund të spërkasësh një kimikat për të vrarë insektet në një frut dhe të jesh i sigurt se nuk do të ketë ndikim edhe tek njeriu që e konsumon atë.”
Sipas studimit, ndër pesticidet më të përhapura ishte fludioxonil, një fungicid që përdoret shpesh për të parandaluar mykun në fruta pas korrjes. Analizat laboratorike kanë treguar se kjo substancë mund të dëmtojë qelizat njerëzore dhe ADN-në në testime eksperimentale.
Nivelet më të larta të këtij pesticidi u gjetën në produkte si limonët, pjeshkët, nektarinat, dardhat, kumbullat, boronicat dhe kajsitë. Në disa raste, mbi 90% e mostrave të pjeshkëve, nektarinave dhe kumbullave përmbanin këtë kimikat.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se problemi nuk është vetëm një kimikat i vetëm, por kombinimi i shumë pesticideve në të njëjtin ushqim. Për shembull, mostrat e luleshtrydheve përmbanin deri në 10 pesticide PFAS të ndryshme, ndërsa qershitë dhe pjeshkët përmbanin shtatë, dhe spinaqi pesë.
“Kur kemi të bëjmë me pesticide dhe PFAS, shpesh rezultati i përbashkët është më i rrezikshëm se secila substancë veçmas,” tha analisti shkencor Varun Subramaniam.
Shqetësimi për PFAS nuk është i ri. Këto kimikate janë përdorur që nga vitet 1940 për të prodhuar materiale rezistente ndaj ujit, yndyrës dhe njollave – nga tiganët që nuk ngjisin, deri te ambalazhet e ushqimeve, rrobat kundër ujit dhe shumë produkte të tjera të përditshme.
Studime të ndryshme i kanë lidhur PFAS me një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë kancerin, obezitetin, sëmundjet e tiroides, kolesterolin e lartë, uljen e fertilitetit, dëmtimin e mëlçisë dhe dobësimin e sistemit imunitar.
Për shkak të përhapjes së tyre të madhe në mjedis, këto kimikate tashmë janë zbuluar në gjakun e rreth 98% të njerëzve, sipas Akademisё Kombëtare të Shkencave në SHBA.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shmangia e plotë e PFAS është shumë e vështirë, pasi ato gjenden në shumë produkte dhe janë tashmë të pranishme në tokë, ujë dhe ajër.
Kur bëhet fjalë për ushqimin, një nga mënyrat më të mira për të reduktuar ekspozimin është zgjedhja e produkteve organike, të cilat zakonisht përmbajnë më pak pesticide.
Megjithëse studimi u fokusua në produkte të analizuara në SHBA, çështja e pesticideve dhe e PFAS është një problem global, pasi këto kimikate përdoren në shumë vende të botës dhe mund të përfundojnë në zinxhirin ushqimor përmes tregtisë ndërkombëtare.
Për këtë arsye, ekspertët theksojnë se ndërgjegjësimi i konsumatorëve dhe përdorimi më i kujdesshëm i pesticideve janë hapa të rëndësishëm për të mbrojtur shëndetin dhe mjedisin.
(Burimi: CNN)






