Dikur ishte një reper që në betejat e rap-it sulmonte korrupsionin dhe elitën politike. Sot, Balendra Shah, i njohur si Balen, është në prag të emёrimit si kryeministri i ri i Nepalit, pasi partia e tij arriti një fitore historike në zgjedhjet kombëtare.
Vetëm pak më shumë se një dekadë më parë, Shah performonte në skenën e rap-it në Katmandu, duke kritikuar hapur korrupsionin, rrugët e shkatërruara dhe pabarazinë sociale në vend. Politikanët e kohës e konsideronin atë thjesht një zë rebel të rinisë. Por të rinjtë e Nepalit e dëgjonin me vëmendje.
Sot, shumë prej atyre që dikur dëgjonin muzikën e tij janë rritur dhe kanë votuar. Dhe në zgjedhjet e fundit, ata i kanë dhënë 35-vjeçarit çelësat e pushtetit.
Shah pritet të marrë detyrën e kryeministrit në ditët në vijim, pasi partia e tij Rastriya Swatantra Party (RSP) fitoi mandatin më të madh në historinë moderne zgjedhore të Nepalit. Fitorja erdhi pas një vale protestash të udhëhequra nga të rinjtë që rrëzuan qeverinë e mëparshme.
“Nepali është i lumtur falë Balenit. Njerëzit po qajnë nga gëzimi,” tha për Reuters një mbështetës i tij gjatë festimeve pas zgjedhjeve. “Ai do ta ndërtojë këtë vend.”

Nepali, një vend me mbi 30 milionë banorë, ka një histori të trazuar politike. Që nga viti 2008, kur u shfuqizua monarkia 239-vjeçare dhe vendi u bë republikë pas një lufte civile të gjatë, vendi ka pasur më shumë se një duzinë qeverish.
Shumë analistë e shohin fitoren e Shah si një refuzim të fortë të elitës politike tradicionale, e cila është përballur prej vitesh me akuza për korrupsion. Pakënaqësia shpërtheu në protesta të mëdha vitin e kaluar, ku humbën jetën mbi 50 persona dhe u rrëzua qeveria komuniste e ish-kryeministrit KP Sharma Oli.
Nga rap-i në politikë
Balendra Shah lindi në Katmandu në vitin 1990, në një familje të zakonshme – babai ishte mjek i mjekësisë tradicionale Ayurvedike, ndërsa nëna shtëpiake.
Para se të hynte në politikë, ai studioi inxhinieri strukturore, duke marrë diploma si në Nepal ashtu edhe në Indi. Por paralelisht me studimet, ai ndërtonte emrin e tij në skenën e rap-it.
I frymëzuar nga ikonat e hip-hop-it si Tupac Shakur dhe 50 Cent, Shah u bë i njohur për tekstet e tij që denonconin korrupsionin dhe pabarazinë sociale në Nepal. Në vitin 2013 ai u shfaq në serinë e famshme të YouTube Raw Barz, ku fitoi popullaritet të madh.
Sipas kushëririt të tij, Prashant Shah, kjo ndjenjë revolte kishte filluar që në fëmijëri.
“Që i vogël ai ishte i pakënaqur me mënyrën si drejtohej qyteti,” tha ai për gazetën The Kathmandu Post. “Gjithmonë thoshte se Katmandu është një qytet i bukur që mund të bëhet shumë më i jetueshëm.”
Fitorja e parë politike
Në vitin 2022, Shah kandidoi si i pavarur për kryetar bashkie në Katmandu. Me një fushatë të fuqishme në rrjetet sociale dhe mbështetje të madhe nga të rinjtë, ai arriti të trondiste establishmentin politik dhe të fitonte zgjedhjet.
Si kryebashkiak, ai u bë i njohur për aksionet kundër korrupsionit dhe për fushatat për pastrimin e qytetit. Ai shembi ndërtime të paligjshme, transmetoi drejtpërdrejt mbledhjet e këshillit bashkiak për transparencë dhe promovoi ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Por ai gjithashtu krijoi polemika për qëndrimet e tij të forta nacionaliste ndaj dy fqinjëve të mëdhenj të Nepalit – Indisë dhe Kinës.
Në vitin 2023 ai vendosi në zyrën e tij një hartë të diskutueshme të “Nepalit të Madh”, që përfshinte territore që sot janë pjesë e Indisë. Ai gjithashtu anuloi një vizitë në Kinë pasi Pekini publikoi një hartë zyrtare që nuk përfshinte territorin e diskutuar himalajan në hartën politike të Nepalit.

Revolta e gjeneratës Z
Fitorja e tij në zgjedhjet kombëtare erdhi pas një vale protestash të fuqishme të rinisë.
Pakënaqësia kishte vite që rritej, por shpërtheu kur qeveria bllokoi rrjetet sociale kryesore si Facebook, Instagram, WhatsApp, YouTube dhe X. Megjithatë, protestat nuk kishin të bënin vetëm me internetin.
Shumë të rinj ankohen për mungesën e mundësive ekonomike. Sipas Bankës Botërore, papunësia tek të rinjtë në Nepal arriti 20.8% në vitin 2024.
“Ka shumë pak mundësi këtu, prandaj shumë të rinj largohen nga vendi,” tha një protestues 23-vjeçar.
Ekonomia e Nepalit varet shumë nga paratë që dërgojnë emigrantët nga jashtë: rreth një e katërta e PBB-së vjen nga remitancat.
Gjatë protestave, Shah publikoi këngën “Nepal Haseko”, e cila ka mbi 11 milionë shikime në YouTube dhe u bë një lloj himni i demonstratave.
Në tekst ai thekson:
“Dua të shoh Nepalin duke buzëqeshur, dua të shoh zemrat e nepalezëve që vallëzojnë.”
Shpresa dhe pritshmëri
Ndërsa mijëra të rinj festojnë në rrugët e Katmandusë dhe në rrjetet sociale, partia e Shah ka njoftuar se nuk do të organizojë festa zyrtare për fitoren, për të nderuar viktimat e protestave.
Vetë Shah ka qëndruar relativisht i heshtur në rrjetet sociale, duke ruajtur stilin e tij enigmatik.
Por në rrugët e kryeqytetit entuziazmi është i madh.
“Tani kemi më në fund kryeministrin më të ri në botë,” tha një qytetar për Reuters. “Shpresojmë që ai të mos harrojë premtimet dhe të punojë për popullin. Ne i besuam – tani ai nuk duhet të luajë me besimin tonë.”
(Burimi: CNN)






