Zyrtarët amerikanë po përpiqen me urgjencë të shmangin një skenar që mund të tronditë ekonominë globale: mbylljen e Ngushticës së Hormuzit për disa muaj. Burime nga administrata dhe inteligjenca amerikane i thanë CNN se rihapja e kësaj rruge kyçe detare mbetet një problem pa zgjidhje të qartë dhe varet, në një masë të madhe, nga sa larg është i gatshëm të shkojë Presidenti Donald Trump për të detyruar Iranin të tërhiqet.
“Një nga enigmat kryesore të këtij konflikti është se iranianët kanë ndikim real në këtë çështje dhe nuk ka një zgjidhje të dukshme”, tha një zyrtar i inteligjencës, duke theksuar kompleksitetin e situatës.
Një vlerësim i brendshëm i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, që ka qarkulluar në Pentagon javët e fundit, paralajmëron se Irani mund ta mbajë të mbyllur ngushticën për një periudhë nga një deri në gjashtë muaj. Megjithatë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Pentagonit përpiqen ta minimizojnë këtë skenar, duke e konsideruar si një variant ekstrem që nuk po merret seriozisht në vendimmarrje.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk e ka parë këtë raport, ndërsa një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se as presidenti Trump nuk është informuar për këtë vlerësim. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, u shpreh se skenarë të tillë janë pjesë e planifikimeve për rastet më të këqija dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht realitetin në terren.
“Një vlerësim nuk do të thotë se është i besueshëm. Është e rrezikshme të zgjidhet skenari më i keq për të trembur publikun”, tha ai, duke shtuar se një mbyllje gjashtëmujore është “e pamundur dhe e papranueshme”.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë këmbëngul se ishte e përgatitur për këtë skenar. Zëdhënësja Karoline Leavitt deklaroi se ushtria amerikane është e fokusuar në eliminimin e aftësive të Iranit për të penguar rrjedhën e lirë të energjisë në rajon.
Megjithatë, realiteti në terren mbetet i paqartë dhe ndryshon çdo ditë. Sipas zyrtarëve të inteligjencës, kohëzgjatja e mundshme e bllokadës varet nga dëmi që SHBA-të dhe Izraeli arrijnë t’i shkaktojnë arsenalit iranian dhe nga sa kapacitete i mbeten ende Teheranit për sulme.
SHBA-të kanë intensifikuar operacionet për të mbajtur të hapur ngushticën. Kryetari i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine, ka bërë të ditur se janë përdorur sisteme të shumta armësh, përfshirë avionë A-10 Warthog, për të goditur objektiva detare dhe për të zmbrapsur sulmet me dronë.
Edhe pse SHBA-të kanë dëmtuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Iranit, zyrtarët e Pentagonit pranojnë se rezervat e raketave me rreze të shkurtër nuk janë shkatërruar plotësisht. Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë theksoi se lufta është ende në javën e tretë të një faze të parashikuar prej katër deri në gjashtë javësh.
Për më tepër, edhe nëse arsenali kryesor i Iranit dobësohet, kërcënimet alternative mbeten. Sipas burimeve perëndimore, Irani mund të përdorë anije të vogla, nëndetëse të lehta apo edhe mjete të shpejta si ski uji për të sulmuar tankerët. Këto mjete mund të përdoren edhe për sulme vetëvrasëse me eksplozivë.
Një tjetër rrezik serioz është vendosja e minave detare, një taktikë që Irani mund ta realizojë lehtësisht me mjete të vogla. Edhe misionet për të shoqëruar anijet tregtare përmes ngushticës kërkojnë burime të mëdha ushtarake, pasi çdo ҫisternë mund të ketë nevojë për disa anije shoqëruese.
Situata bëhet edhe më komplekse nga fakti se SHBA-të nuk mund t’i detyrojnë thjesht kompanitë apo anijet të kalojnë nëpër ngushticë. Ato duhet të krijojnë një nivel sigurie që bind operatorët detarë se rreziku është minimal.
Presidenti Trump ka tentuar të krijojë një koalicion ndërkombëtar për mbrojtjen e ngushticës, por pa sukses. Ai ka kritikuar aleatët për mungesë angazhimi dhe ka sugjeruar se mund t’ua lërë atyre përgjegjësinë pasi SHBA-të të kenë “mbaruar punë” me Iranin.
Një sfidë shtesë është edhe vetë gjeografia: Ngushtica e Hormuzit shtrihet rreth 100 milje dhe kontrolli i saj kërkon prani të gjerë ushtarake. Një opsion i diskutuar është vendosja e trupave amerikane në ishuj strategjikë brenda ngushticës, por kjo do të ishte një lëvizje me rrezik të lartë që mund të ekspozojë drejtpërdrejt jetën e ushtarëve amerikanë.
Në këtë kontekst, SHBA-të përballen me një dilemë të vështirë: si të garantojnë hapjen e një prej arterieve më të rëndësishme energjetike në botë, pa e përshkallëzuar më tej një konflikt që tashmë ka pasoja globale.
(Burimi: CNN)






