Një fotografi e rreme e Giorgia Meloni me të brendshme, e krijuar nga inteligjenca artificiale, u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale italiane dhe hapi sërish debatin e madh europian mbi deepfake-t, manipulimin dixhital dhe përdorimin kriminal të AI-së.
Imazhi – që e paraqiste kryeministren italiane të ulur në një shtrat me të brendshme – u nda masivisht online, ndërsa mijëra përdorues e komentuan si të ishte i vёrtetё.
Vetë Meloni reagoi publikisht, duke e quajtur situatën një formë të rrezikshme manipulimi dhe një alarm për mënyrën se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për të shkatërruar reputacione, për të mashtruar publikun dhe për të kthyer internetin në një armë kundër kujtdo.
“Në ditët e fundit kanë qarkulluar imazhe të rreme të miat të krijuara me inteligjencë artificiale dhe të paraqitura si të vërteta”, shkroi ajo në Facebook.
Me ironi, Meloni shtoi se autori “madje ma kishte përmirësuar pamjen”, por më pas ndryshoi tonin dhe dha një paralajmërim të fortë:
“Sot më ndodh mua, nesër mund t’i ndodhë kujtdo.”
Rasti shkaktoi debat të madh në Itali, sepse shumë përdorues fillimisht besuan se fotografia ishte autentike. Komentet online kaluan nga sulmet politike deri te ofendimet personale dhe seksiste ndaj kryeministres.
Një komentues shkruante: “Është e turpshme që një kryeministre të paraqitet në këtë gjendje”, pa e kuptuar se fotografia ishte tërësisht e fabrikuar nga AI.
Pikërisht ky është shqetësimi që po alarmon gjithnjë e më shumë qeveritë europiane: fakti që deepfake-t po bëhen aq realiste, sa publiku nuk arrin më të dallojë manipulimin nga e vërteta.
Italia është ndër vendet që ka reaguar më ashpër ndaj këtij fenomeni.
Qeveria e Melonit miratoi vitin e kaluar ligjin e parë gjithëpërfshirës në Bashkimin Europian për përdorimin e inteligjencës artificiale, duke parashikuar edhe dënime penale për krijimin e deepfake-ve me qëllim dëmtimin e individëve.
Ligji erdhi pas një tjetër skandali të madh në Itali, kur një platformë pornografike publikoi imazhe të manipuluara të politikaneve të njohura italiane, përfshirë vetë Melonin dhe lideren opozitare Elly Schlein.
Fotografitë ishin marrë nga rrjetet sociale dhe aktivitetet publike, më pas ishin modifikuar me përmbajtje seksuale dhe komente vulgare.
Skandali shkaktoi zemërim kombëtar dhe çoi në ndërhyrjen e policisë italiane, e cila mbylli faqen dhe nisi hetime për shpifje, pornografi hakmarrëse dhe zhvatje.
Por rasti i fundit me Melonin tregon se problemi nuk është më thjesht pornografia online apo bullizmi dixhital.
Frika reale është se inteligjenca artificiale po e bën pothuajse të pamundur dallimin mes realitetit dhe fabrikimit.
Dhe kur edhe kryeministrja e një shteti europian mund të kthehet brenda pak orësh në viktimë të një imazhi të rremë viral, atëherë askush nuk është më realisht i mbrojtur nga manipulimi digjital.
(Burimi: The Guardian)






