Amazon po përgatitet të zgjerojë ndjeshëm shërbimin e saj të dërgesave me dronë në Shtetet e Bashkuara. Kompania njoftoi se deri në fund të këtij viti synon që shërbimi Prime Air të jetë i pranishëm në afro 500 qytete dhe qyteza amerikane.
Nëse objektivi realizohet, zona e mbuluar nga Prime Air do të zgjerohet rreth gjashtë herë krahasuar me shtrirjen aktuale.
Amazon thotë se vetëm gjatë këtij viti ka realizuar tashmë qindra mijëra dërgesa me dronë, ndërsa aktualisht kryhen mijëra të tilla çdo ditë. Objektivi i shpallur më herët nga drejtuesit e Prime Air është që gjatë vitit 2026 të arrihet në 1 milion dërgesa.
Ideja nuk është e re. Jeff Bezos e prezantoi për herë të parë projektin në vitin 2013, kur foli për krijimin e një rrjeti dronësh që do të mund të dërgonin pakot e vogla te klientët brenda 30 minutash ose më pak.
Por nga ideja te zbatimi në shkallë të gjerë rruga ka qenë shumë më e gjatë nga sa parashikohej. Në afro 13 vjet, Prime Air është përballur me pengesa rregullatore, probleme teknike, shkurtime të stafit dhe kundërshtime nga banorët në disa prej komuniteteve ku Amazon ka testuar shërbimin.
Një pikë kthese erdhi në vitin 2024, kur kompania mori një miratim të rëndësishëm nga autoritetet amerikane për kryerjen e fluturimeve të dronëve në distanca më të gjata. Që prej atëherë, shërbimi është zgjeruar përtej tregjeve të para pranë Dallasit në Teksas dhe Phoenix-it në Arizona dhe tashmë operon në 11 zona metropolitane.
Zgjerimi i paralajmëruar për në afro 500 qytete do të ishte hapi më i madh deri tani për Prime Air dhe një provë nëse ideja që Bezos prezantoi më shumë se një dekadë më parë mund të kalojë më në fund nga një projekt eksperimental në një mënyrë të zakonshme të shpërndarjes së porosive të Amazon.






