Liderë botërorë dhe zyrtarë të lartë nga mbarë bota do të mblidhen në Turqi për edicionin e pestë të Forumit Diplomatik të Antalias, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare, që këtë vit vendos në qendër menaxhimin e pasigurive globale.
Forumi do të zhvillohet nga 17 deri më 19 prill në qytetin bregdetar të Antalias dhe organizohet nën kujdesin e presidentit Recep Tayyip Erdogan, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme turke. Tema kryesore e këtij viti është: “Hartimi i së nesërmes, menaxhimi i pasigurive”, një reflektim i sfidave të shumta me tё cilat po përballet sistemi ndërkombëtar.
Ngjarja pritet të mbledhë një pjesëmarrje të gjerë globale: mbi 150 vende, më shumë se 20 krerë shtetesh dhe qeverish, rreth 15 zëvendësdrejtues, si dhe mbi 50 ministra, prej të cilëve më shumë se 40 janë ministra të jashtëm. Gjithashtu, do të marrin pjesë përfaqësues nga 75 organizata ndërkombëtare, duke e kthyer forumin në një platformë të gjerë dialogu diplomatik.
Në total, mbi 460 pjesëmarrës të nivelit të lartë dhe rreth 5,000 të ftuar, përfshirë akademikë dhe studentë, pritet të jenë pjesë e diskutimeve.
Pjesëmarrja pritet të ketë një shpërndarje të gjerë gjeografike: pothuajse gjysma e liderëve do të vijnë nga Afrika dhe Europa, ndërsa ministrat e jashtëm do të përfaqësojnë kryesisht Afrikën (40%), Europën (35%) dhe Azinë (22%).
Forumi do të përfshijë mbi 40 panele dhe aktivitete, ku do të diskutohen tema që lidhen me zhvillimet politike, ekonomike, mjedisore dhe teknologjike, me theks të veçantë tek transformimet dhe pasiguritë në rendin global.
Paralelisht me sesionet kryesore, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan pritet të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe dhe shumëpalëshe, përfshirë takimin e tretë të Platformës së Paqes në Ballkan, një sesion mbi Gazën, një mbledhje informale të ministrave të jashtëm të shteteve turke, si dhe një takim me përfaqësues nga Turqia, Pakistani, Arabia Saudite dhe Egjipti.
Aktivitetet e forumit do të transmetohen drejtpërdrejt në platformat zyrtare dhe në median publike turke, duke e bërë këtë ngjarje një pikë referimi për diskutimet mbi drejtimin e politikës globale në një periudhë të karakterizuar nga tensione dhe pasiguri në rritje.

(Burimi: Anadolu Agency)






