Çmimi i arit po vazhdon ngjitjen e fortë në tregjet ndërkombëtare, duke u rikthyer mbi 4,500 dollarë për ons dhe duke shënuar një nga periudhat më të mira të javëve të fundit.
Të premten, ari tregtohej rreth 4,537 dollarë për ons, ndërsa gjatë lëvizjeve të fundit çmimi ka arritur nivelet më të larta që prej fillimit të verës. Vetëm gjatë kësaj jave, ari është forcuar me rreth 3.6%.
Rritja vjen pas rikuperimit që nisi në fillim të gushtit. Ari kishte humbur ndjeshëm nga nivelet rekord të fillimit të vitit, në një periudhë të karakterizuar nga lufta mes SHBA-së dhe Iranit, rritja e çmimeve të energjisë dhe pasiguria mbi politikën monetare amerikane.
Në ditët e fundit, një nga faktorët kryesorë që ka favorizuar metalin e çmuar ka qenë dobësimi i dollarit amerikan. Një dollar më i dobët e bën arin më të lirë për blerësit që përdorin monedha të tjera dhe zakonisht ndihmon në rritjen e kërkesës.
Një tjetër faktor është lëvizja e normave të interesit dhe e yield-eve të obligacioneve amerikane. Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar zgjerimin e blerjeve të obligacioneve afatgjata, ndërsa investitorët po përpiqen të parashikojnë hapin e ardhshëm të Rezervës Federale.
Në sfond mbeten edhe tensionet në Lindjen e Mesme. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar sanksione të reja shumë të ashpra ndaj Iranit, duke shtuar një tjetër element pasigurie gjeopolitike në tregje.
Rritja nuk është kufizuar vetëm tek ari. Argjendi është ngjitur pranë 69 dollarëve për ons, me një rritje rreth 1.3% të premten. Edhe platini dhe paladiumi kanë shënuar fitime.
Megjithatë, ari vazhdon të jetë dukshëm poshtë rekordit të tij historik të fillimit të vitit. Ecuria e mëtejshme pritet të varet kryesisht nga normat amerikane të interesit, dollari dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.




