Ka lajme që ndodhin mijëra kilometra larg, por flasin drejtpërdrejt për probleme që i kemi edhe këtu.
Një prej tyre është çështja e John Eastman-it, ish-profesor i së drejtës kushtetuese, ish-dekan i një shkolle juridike në Shtetet e Bashkuara dhe një prej avokatëve mbrojtёs që u përfshinë në përpjekjet e Donald Trump-it për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Në prill 2026, Gjykata e Lartë e Kalifornisë urdhëroi përjashtimin e tij nga ushtrimi i profesionit. Më herët, Komisioni i Disiplinёs e kishte gjetur përgjegjës për 10 nga 11 akuzat disiplinore dhe kishte rekomanduar heqjen e licencës.
Sipas autoriteteve kaliforniane, Eastman nuk u ndëshkua thjesht sepse mbrojti një teori juridike që gjykatat e rrëzuan. Pretendimi ndaj tij është shumë më serioz: se ai paraqiti deklarime të pavërteta ose mashtruese para gjykatave, zyrtarëve publikë dhe publikut, duke kaluar kufirin mes një argumenti juridik të diskutueshëm dhe një sjelljeje profesionale të papranueshme.
Eastman dhe avokatët e tij e kundërshtojnë këtë lexim. Jay dhe Jordan Sekulow kanë njoftuar se synojnë ta çojnë çështjen në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, me argumentin se mënyra si është përdorur disiplina profesionale ndaj tij ka cenuar të drejtat kushtetuese dhe lirinë e shprehjes së avokatit.
Çështja figuron tashmë si John C. Eastman v. State Bar of California, No. 25A1445.

Fati personal i Eastman-it mund të ketë pak rëndësi për një avokat në Tiranë. Parimi që po diskutohet, jo.
Sapo një sistem fillon të vendosë kufirin mes asaj që një avokat mund të argumentojë dhe asaj për të cilën mund të humbasë profesionin, debati nuk është më vetëm amerikan.
Avokati ka të drejtë të gabojë – Nuk ka të drejtë të mashtrojë
Ky është kufiri që duhet ruajtur pa shumë sofistikime.
Një avokat ka të drejtë të humbasë një çështje. Ka të drejtë të mbrojë një interpretim të ligjit që gjykata nuk e pranon. Mund të thotë se një dispozitë është antikushtetuese, se një precedent duhet ndryshuar, se një provë nuk duhet pranuar apo se një institucion po e lexon gabim ligjin.
Mund të mbrojë një klient të papëlqyeshëm dhe mund të paraqesë një teori juridike që shumica e juristëve e konsiderojnë të dobët.
Pikërisht për këtë ekziston avokatia.
Nëse avokatit do t’i lejohej të thoshte vetëm atë që gjykata mendon se është e drejtë, atëherë nuk do të kishim më një proces ku dy palë përballin argumentet e tyre. Do të kishim një profesion që përsërit vendimin e institucionit përballë të cilit duhet të mbrojë qytetarin.
Por kjo liri ka një kufi shumë të qartë.
Avokati nuk mund të fabrikojё prova, të paraqesë me vetëdije fakte të rreme si të vërteta, të mashtrojë gjykatën, të manipulojë procesin apo ta përdorë profesionin për një veprimtari të paligjshme.
Liria profesionale mbron argumentin. Nuk mbron mashtrimin.
Pikërisht për këtë çështja Eastman nuk duhet përmbledhur me formulën e thjeshtë “e përjashtuan sepse mbrojti Trump-in”. Autoritetet kaliforniane pretendojnë se kanë provuar sjellje që shkon shumë përtej një argumenti juridik të humbur.
Por edhe e kundërta është e rrezikshme: që çdo herë kur një avokat paraqet një teori të fortë, të pazakontë apo të papëlqyeshme, vetë refuzimi i saj nga gjykata të mund të përdoret më pas kundër tij.
Avokati nuk është zëdhënës i gjykatës. Detyra e tij është, kur është e nevojshme, edhe ta sfidojë atë.
Shumë prej ideve juridike që sot konsiderohen të zakonshme kanë filluar pikërisht si argumente që në një moment nuk pranoheshin. Jurisprudenca nuk zhvillohet vetëm nga gjyqtarët. Zhvillohet edhe sepse dikush përpara tyre kërkon një interpretim tjetër.
Prandaj dallimi duhet bërë mes një argumenti të gabuar dhe një fakti të rremë, mes një avokatie agresive dhe keqbesimit profesional, mes kritikës së institucionit dhe pengimit të drejtësisë.
Në njërën anë kemi vetë funksionin e avokatit. Në tjetrën kemi shkeljen e tij.
Ngatërrimi i të dyjave është shumë më i rrezikshëm sesa duket.
Europa e ka njohur prej kohësh këtë problem
Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë peshë të posaçme lirisë së shprehjes së avokatit.
Në çështjen Morice kundër Francës, Gjykata theksoi rolin e veçantë të avokatëve në administrimin e drejtësisë dhe nevojën për mbrojtje të fortë kur ata flasin për funksionimin e sistemit dhe për çështje me interes publik.
Natyrisht, as kjo mbrojtje nuk është absolute. Avokati nuk është mbi ligjin dhe profesioni nuk i jep të drejtë të shpifë, të mashtrojë apo të cenojë procesin.
Por fakti që është avokat nuk mund të përdoret si arsye për t’i kërkuar më shumë heshtje pikërisht në ato raste kur detyra e tij është të kundërshtojë shtetin, gjykatën apo prokurorinë.
Një avokat që nuk mund të thotë se një vendim është i gabuar nuk është më plotësisht avokat. Është thjesht dikush që ia lexon vendimin klientit.
Po avokatia në Shqipëri?
Kushtetuta shqiptare garanton lirinë e shprehjes. Ligji 55/2018 për profesionin e avokatit ndërton një sistem disiplinor që mund të arrijë deri te heqja e së drejtës së ushtrimit të profesionit.
Kjo është normale. Një profesion që ka në dorë të drejtat, pasurinë, lirinë dhe shpesh fatin penal të një qytetari duhet të ketë standarde të larta.
Por pikërisht sepse sanksioni mund t’i marrë një personi profesionin, standardi për ta përdorur atë duhet të jetë po aq i lartë.
Edhe vetë Statuti i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë e lidh misionin e saj me mbrojtjen e pavarësisë së profesionit dhe të avokatëve nga presionet publike apo private. Kodi Etik, nga ana tjetër, e trajton pavarësinë si kusht të domosdoshëm të ushtrimit të avokatisë.
Këto marrin kuptim pikërisht kur avokati është përballë pushtetit.
Në Shqipëri një avokat mund të ketë përballë gjykatën, prokurorinë, administratën, një institucion të pavarur, një kompani të fuqishme apo vetë qeverinë.
Klienti i tij mund të jetë një qytetar që nuk ka as pushtetin, as burimet dhe as zërin e palës tjetër.
Në atë moment avokati duhet të ketë mundësi t’i thotë shtetit “jo”. T’i thotë se një akt është i paligjshëm. Se një provë nuk mund të përdoret. Se një prokuror po e interpreton gabim ligjin. Se një gjykatë ka gabuar, apo një institucion duhet të ndryshojë praktikë.
Nëse avokati fillon të llogarisë se deri ku mund të shkojë pa rrezikuar licencën, qytetari ka humbur një pjesë të mbrojtjes së vet pa hyrë ende në sallën e gjyqit.
Sanksioni ndaj një avokati lexohet nga qindra të tjerë
Kjo është arsyeja përse një masë disiplinore nuk prek vetëm emrin mbi të cilin vendoset. Ajo dërgon një mesazh.
Një avokat tjetër mund ta shohë dhe të mendojë se ndoshta nuk duhet ta kritikojë kaq fort gjykatën. Një tjetër mendon se më mirë të mos e sfidojë prokurorin. Dikush tjetër mund të mos marrë një çështje që ka shumë kosto politike apo institucionale.
Pak nga pak krijohet ajo që në të drejtën e të drejtave të njeriut quhet chilling effect: njerëzit nuk ndalohen formalisht të flasin, por fillojnë të heshtin nga frika e pasojave.
Por për avokatin kjo është veçanërisht e rëndë. Pavarësia e avokatit nuk është një privilegj që profesioni ia ka dhënë vetes. Është pjesë e të drejtës së qytetarit për mbrojtje efektive.
Sigurisht qё kjo nuk e bën avokatin të paprekshëm. Nëse falsifikon prova, gënjen me vetëdije gjykatën, korrupton, kërcënon, manipulon një proces apo pengon drejtësinë, duhet të përgjigjet si çdo profesionist tjetër, madje me përgjegjësi edhe më të madhe.
Por duhet të provohet pikërisht kjo. Jo fakti që argumenti i tij ishte i fortë, i bezdisshëm, i papëlqyer apo në fund i pasuksesshëm.
Eastman nuk ka nevojë të shpallet viktimë që ky debat të jetë i rëndësishëm
Shumё mund të mendojnё se John Eastman e kishte gabim, apo se strategjia juridike që ndoqi pas zgjedhjeve të vitit 2020 ishte e papërgjegjshme.
Mund edhe të arrihet në përfundimin se autoritetet kaliforniane kishin plotësisht të drejtë ta disiplinonin. Asnjë prej këtyre nuk e mbyll debatin.
Standardi që krijohet në një çështje të vështirë përdoret më pas edhe në çështje shumë më pak të vështira.
Nëse kufiri vendoset te mashtrimi, fabrikimi i fakteve dhe abuzimi i provuar me profesionin, sistemi mbron njëkohësisht drejtësinë dhe avokatinë.
Nëse kufiri fillon të rrëshqasë drejt argumentit juridik që një institucion e konsideron të papranueshëm, atëherë profesioni fillon të ndryshojë natyrë.
Shqipëria ka arsye ta ndjekë shumë seriozisht një çështje që po zhvillohet në Kaliforni. Jo sepse kemi nevojë për një “Eastman shqiptar”. Por sepse kemi nevojë për avokatë që të mund të kundërshtojnë shtetin pa e matur çdo fjali me frikën e një procedure disiplinore, apo siҫ u pa me sulmin politik ndaj njё avokati qё mbronte njё protestues, me frikёn e forcёs shtetёrore dhe kёrcёnimin pёr procedim penal.





