BBC i ka kushtuar një reportazh të gjerë Shqipërisë dhe rritjes së shpejtë të turizmit dentar e mjekësor në vend, duke e paraqitur Tiranën si një destinacion që po konkurron gjithnjë e më shumë me Turqinë për pacientët e huaj.
Në fokus të reportazhit janë çmimet dukshëm më të ulëta të trajtimeve dentare krahasuar me Britaninë e Madhe dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore, numri i madh i klinikave në kryeqytet, shtimi i fluturimeve me kosto të ulët dhe mundësia për të kombinuar trajtimin me pushimet në Shqipëri.
BBC sjell edhe historinë e një britaniku 58-vjeçar që zgjodhi Tiranën për të vendosur implantet dentare, ndërsa trajton edhe zhvillimin e një tjetër sektori të turizmit mjekësor, transplantin e flokëve. Reportazhi ngre njëkohësisht çështjen e standardeve dhe të kontrollit të klinikave, në një kohë kur industria po zgjerohet me shpejtësi.
Më poshtë, artikulli i BBC, i sjellë i përshtatur në shqip nga redaksia:
“Dhëmbët e Tiranës”: Shqipëria shpreson të bëhet Turqia e re për trajtimet dentare
Anthony Hook është ulur në karrigen e dentistit dhe buzëqesh teksa shikon veten në një pasqyrë të vogël që mban në dorë. I kanë kërkuar të pozojë për disa fotografi për të treguar buzëqeshjen e tij të re – dhe ai e bën këtë me shumë kënaqësi.
58-vjeçari, i cili punon si pastrues dritaresh dhe vjen nga Boltoni, në Greater Manchester, tashmë është pronari krenar i një kompleti të ri e vezullues “dhëmbësh të Tiranës”.
Ky nuk është një emër marke – të paktën jo ende. Por mund të ishte një slogan i përshtatshëm, ndërsa Shqipëria po hyn me vendosmëri në biznesin e turizmit mjekësor.
Tirana, kryeqyteti i vendit, është qendra e këtij aktiviteti. Dhe sapo dallon dhëmbin e parë, fillon t’i shohësh kudo. Ata duket se janë në të gjithë qendrën e qytetit.
Por mos u shqetësoni, nuk bëhet fjalë për mbetje fizike të ndonjë nate që ka përfunduar me grushte. Janë dhëmballë të ndriçuara, shumë më të mëdha se përmasat reale, të cilat – të paktën në këto anë – tregojnë se një klinikë dentare ndodhet diku pranë.
Vetëm në zonën metropolitane të Tiranës ka pothuajse 400 klinika dentare dhe shumica e tyre ndodhen në qendër të qytetit. Është një numër më se i mjaftueshëm për një popullsi prej rreth 600 mijë banorësh.
Prandaj nuk është për t’u habitur që dhjetëra dentistë tashmë po synojnë klientë që vijnë nga jashtë vendit. Ata kanë krijuar faqe interneti dhe tabela në anglisht dhe italisht, përveç shqipes.
Implantet dentare në Shqipëri zakonisht kushtojnë rreth 600 euro për dhëmb, një çmim i ngjashëm me atë të Turqisë, e cila prej kohësh është destinacioni kryesor jashtë vendit për evropianoperëndimorët që kërkojnë trajtime dentare shumë më të lira sesa në vendet e tyre.
I njëjti trajtim në Britaninë e Madhe, Francë apo Gjermani mund të kushtojë lehtësisht katër herë më shumë.
Për Hook, kjo diferencë ishte tepër joshëse për t’u shpërfillur. Ai e vizitoi për herë të parë Tiranën vitin e kaluar për të parë ndeshjen e futbollit mes Anglisë dhe Shqipërisë, por gjatë qëndrimit të tij u bë kureshtar nga numri i madh i tabelave të dentistëve. Kjo e shtyu të mendonte seriozisht për të zgjidhur problemin e dhëmbëve që i mungonin.
Ai vendosi të shkonte në Shqipëri dhe jo në Turqi, pasi ishte shqetësuar nga raportimet në media për trajtime dentare apo transplante flokësh në Turqi që kishin shkuar keq.
Në fakt, edhe Ministria e Jashtme britanike paralajmëron se është në dijeni të shtatë shtetasve britanikë që kanë humbur jetën në Turqi gjatë vitit 2025 pas procedurave mjekësore. Ajo shton se disa shtetas britanikë kanë pësuar gjithashtu komplikacione pas ndërhyrjeve dhe u është dashur të marrin trajtime të mëtejshme apo t’u nënshtrohen operacioneve të tjera.
Hook thotë se nuk do të shkonte në Turqi, sepse kishte dëgjuar “shumë gjëra të këqija”. Përpara se të merrte vendimin për Tiranën, ai bëri kërkime të hollësishme.
“Hyra në internet dhe e studiova siç duhet. M’u deshën dy ditë për ta kërkuar, sepse nuk jam nga ata njerëz që hidhen në diçka pa e menduar”, thotë ai.
Pas disa udhëtimeve të tjera në Shqipëri, Anthony tashmë ka një gojë plot me implante të reja dhe, jo çuditërisht, buzëqesh vazhdimisht.
“Do të vija këtu një herë në muaj për pushime, po të mundesha”, thotë ai duke qeshur.
Elite Dental është një nga klinikat më të mëdha në Tiranë. Ajo është plotësisht e licencuar nga autoritetet shqiptare të shëndetësisë, ashtu si edhe të 15 dentistët që punojnë në mënyrë të përhershme aty.
Drejtuesi i klinikës, Ardtur Dema, thotë se nuk është “në favor të dëmtimit të dhëmbëve të shëndetshëm për arsye estetike”. Përkundrazi, sipas tij, përparësia është “ndryshimi i jetës së njerëzve”, duke u rikthyer atyre aftësinë për të përtypur dhe, sigurisht, për të buzëqeshur.
Dema beson se për sa kohë Shqipëria mbetet jashtë Bashkimit Evropian, çmimet e trajtimeve ka të ngjarë të vazhdojnë të jenë të ulëta. Në të njëjtën kohë, kompanitë ajrore me kosto të ulët kanë zgjeruar ndjeshëm rrjetin e fluturimeve drejt dhe nga Tirana. Kjo do të thotë se sot ai mund të presë po aq lehtë një pacient nga Torino sa edhe një nga Tirana.
Megjithatë, Dema shqetësohet se shpërthimi i turizmit mund të sjellë operatorë më pak të përgjegjshëm, të cilët mund të dëmtojnë reputacionin e gjithë sektorit.
Ai është anëtar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit Mjekësor, e krijuar së fundmi, por shumë operatorë të tjerë ende nuk janë pjesë e saj.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i thotë BBC-së se qeveria po përpiqet të kapë ritmin e zhvillimeve pas pesë vitesh gjatë të cilave numri i përgjithshëm i vizitorëve ndërkombëtarë në Shqipëri është më shumë se dyfishuar.
Një lloj certifikimi apo vule zyrtare miratimi për strukturat që ofrojnë shërbime të turizmit mjekësor është një nga mundësitë që po shqyrtohen, por qeveria ende nuk i ka përcaktuar hollësitë.
“Është një industri e re, e cila ndodhet nën ombrellën e industrisë së turizmit, që po tregon potencial të madh dhe ku ka njerëz shumë të mirë”, thotë Rama.
Ai shton se qeveria dëshiron të ndihmojë të gjithë ofruesit seriozë të këtyre shërbimeve që të “mbijetojnë” dhe njëkohësisht të mbrojë sektorin nga çdo formë e “konkurrencës së keqe” informale.
Jo vetëm dhëmbë, por edhe transplante flokësh
Krahas trajtimeve dentare, disa nga vizitorët që mbërrijnë në Shqipëri po fillojnë të mendojnë jo vetëm për vijën bregdetare, por edhe për “vijën e flokëve”.
Disa klinika të transplantit të flokëve po punësojnë specialistë turq, ndërsa të tjera janë degë të drejtpërdrejta të kompanive me bazë në Turqi.
Vatanmed në Tiranë është një prej tyre. Specialistja e shitjeve dhe konsulentja shëndetësore Ayşe Mina Kasemi e përshkruan kompaninë si një “markë globale”, me 15 klinika në disa vende.
Sipas saj, përmasat e këtij rrjeti e bëjnë atë “një vend të sigurt për t’i besuar” për pacientët ndërkombëtarë që mbërrijnë për trajtim.
Por, përtej kësaj, Ayşe thekson se Shqipëria ka edhe avantazhet e saj.
“Kur njerëzit vendosin të bëjnë një transplant flokësh këtu në Shqipëri, ata duan gjithashtu të bëjnë pushime këtu, sepse Shqipëria është një vend shumë i bukur”, thotë ajo.
Megjithatë, ajo ka edhe një paralajmërim për pacientët që kryejnë transplant flokësh.
“Gjatë dy ose tri ditëve të para duhet të kenë kujdes – nuk u lejohet të ekspozohen në diell.”
Ky nuk është një shqetësim për Anthony Hook. Ai mban me kënaqësi kokën të rruar dhe nuk ka ndërmend që pas trajtimit të dhëmbëve të ndërmarrë edhe një transformim të flokëve.
Për të, mundësia për të shijuar plazhet dhe peizazhet e Shqipërisë ishte pjesë e rëndësishme e vendimit për të rregulluar dhëmbët këtu.
“Ka shumë gjëra për të bërë në Tiranë… ka shumë për të bërë edhe përgjatë bregdetit, është absolutisht mahnitës”, thotë ai.
“Dua ta shijoj tani, përpara se të bëhet tepër popullore dhe të prishet si kudo tjetër.”
Me dhëmbët e tij të rinj, shijimi i kuzhinës shqiptare padyshim do të jetë gjithashtu pjesë e programit të Anthonyt.
Dhe, mbi të gjitha, ajo buzëqeshje e re do të shkëlqejë në fotografitë e pushimeve.
Burimi: Guy Delauney, reporter i biznesit i BBC, Tiranë – përshtatur në shqip nga redaksia






