Emri i Coco Chanel u bë sinonim i modës së lartë, parfumit dhe luksit, por shtëpitë ku ajo jetoi tregojnë një anë tjetër të gruas që revolucionarizoi mënyrën se si visheshin gratë. Nëse krijimet e saj dalloheshin për linjat e thjeshta dhe elegancën e përmbajtur, ambientet private të Chanel ishin e kundërta: pasqyra, antikuarë, statuja, libra të lidhur me lëkurë dhe mobilie të kushtueshme.
Kontrasti ishte i jashtëzakonshëm edhe me fëmijërinë e saj. Chanel lindi në vitin 1883 në një spital bamirësie dhe, pas vdekjes së nënës, ajo dhe dy motrat e saj u lanë nga i ati në një jetimore manastiri në Aubazine. Pikërisht aty mësoi të qepte dhe disa prej elementeve që më vonë do të identifikoheshin me stilin Chanel besohet se morën frymëzim nga vitet e manastirit, përfshirë përdorimin e së zezës dhe së bardhës.

Në Paris, një prej shtëpive të saj ishte një ndërtesë e shekullit XVIII në 29 Rue du Faubourg Saint-Honoré, të cilën e mori me qira dhe e mbajti deri nga fundi i viteve 1930. Pikërisht aty, në vitin 1932, organizoi festën për prezantimin e koleksionit të saj të parë dhe të vetëm të bizhuterive, mes të ftuarve të së cilës ishin Pablo Picasso dhe Jean Cocteau.

Por adresa që do të mbetej përgjithmonë e lidhur me Chanel ishte 31 Rue Cambon. Ajo e bleu ndërtesën e shekullit XVIII në vitin 1918, vetëm pak hapa nga dyqani që kishte hapur në të njëjtën rrugë në vitin 1910. Kati përdhes shërbente për ekspozimin e krijimeve, kati tjetër për pritje, ndërsa më lart ndodheshin apartamentet e saj private.
Aty Chanel krijoi një univers krejt personal, të mbushur me libra, antikuarë, dhe kamelia, lulja e saj e preferuar. Megjithatë, ekzistonte një veçanti: Chanel kalonte ditët në apartamentin e saj, por nuk flinte aty. Në mbrëmje kalonte rrugën dhe shkonte në hotelin Ritz.

Në vitin 1937 ajo mori me qira Suitën 302 të Ritz Paris dhe vazhdoi të kalonte çdo natë atje deri në vdekjen e saj në vitin 1971. Për 34 vjet, hoteli në Place Vendôme u bë shtëpia e saj e vërtetë e natës, ndërsa stafi ishte pothuajse një familje e dytë. Aty priste miq dhe darkonte me figura si Salvador Dalí, Jean Cocteau dhe Misia Sert.
Chanel kishte gjithashtu një pasion për rezidencat e pushimit. Në Rivierën Franceze ndërtoi në vitin 1928, së bashku me arkitektin Robert Streitz, vilën La Pausa në Roquebrune. Ajo e shiti pronën në vitin 1953, por dekada më vonë, në 2015, vetë shtëpia Chanel e bleu përsëri për ta përdorur për aktivitetet e kompanisë.
Edhe Londra ishte pjesë e jetës së saj. Chanel kalonte shumë kohë në kryeqytetin britanik dhe gjatë marrëdhënies me Dukën e Westminsterit, nga viti 1924 deri në fillim të viteve 1930, qëndronte shpesh në rezidencën e tij Bourdon House në Mayfair. Në vitin 1927 ajo hapi edhe një butik Chanel në Londër.

Në vitin 1931 shkoi edhe në Shtetet e Bashkuara me ftesë të Sam Goldwyn të Metro-Goldwyn-Mayer, i cili e kishte angazhuar për të krijuar kostume për filmat e studios. Para se të mbërrinte në Hollywood, Chanel kaloi një muaj në Nju Jork, duke qëndruar në Hotel Pierre.
Apartamenti në Rue Cambon ishte ndërkohë edhe vendi ku ajo punonte. Aty priti personalitete nga Salvador Dalí te Elizabeth Taylor, zhvillonte prova me modelet dhe kishte krijuar një bibliotekë të madhe. Pas vdekjes së saj, shtëpia Chanel e ruajti apartamentin pothuajse siç ishte, ndërsa sot ai hapet vetëm për të ftuar VIP, sesione fotografike dhe aktivitete për median.

Një nga elementet më të famshme ishte shkalla e Rue Cambon e veshur me pasqyra. Chanel mund të qëndronte në shkallë dhe, pa u ekspozuar plotësisht, të vëzhgonte modelet me krijimet e saj dhe reagimet e klientëve nga kënde të ndryshme.

Pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhënia e saj gjatë luftës me një agjent gjerman dhe akuzat për bashkëpunim me nazistët e bënë figurën e saj shumë të debatueshme në Francë. Pas një periudhe tërheqjeje në Zvicër, ajo u rikthye në Paris dhe në vitin 1954 prezantoi koleksionin e rikthimit. Vazhdoi të punonte deri në fund të jetës.

Coco Chanel vdiq në vitin 1971, në moshën 87-vjeçare, nga një atak në zemër pikërisht në suitën e saj në Ritz, pas një jete që kishte nisur në varfëri dhe përfundoi mes disa prej ambienteve më luksoze të Parisit.


Burimi: Architectural Digest





