Zvicra ka vendosur të qëndrojë jashtë Copernicus, programit kryesor të Bashkimit Europian për vëzhgimin e Tokës, pavarësisht thirrjeve të parlamentit për t’iu bashkuar.
Arsyeja kryesore është financiare: pjesëmarrja do t’i kushtonte vendit rreth 48 milionë franga zvicerane, ose 59 milionë dollarë në vit.
Copernicus është një sistem prej rreth një duzine satelitësh që monitorojnë vazhdimisht planetin dhe sigurojnë të dhëna pothuajse në kohë reale për tokën, detet, oqeanet dhe atmosferën. Informacioni përdoret për të matur thatësirën e tokës dhe pyjeve, ndryshimet e akullnajave dhe vijës bregdetare, ndotjen e ajrit, si dhe për të monitoruar rreziqe natyrore si rrëshqitjet e dheut dhe lëvizjet e terrenit.
Në program marrin pjesë të 27 vendet e BE-së, por edhe shtete që nuk janë anëtare të Unionit, si Norvegjia, Islanda dhe Mbretëria e Bashkuar. Qeveria zvicerane rikonfirmoi në qershor vendimin për të mos kërkuar anëtarësimin, duke iu referuar kufizimeve buxhetore.
Megjithatë, qëndrimi jashtë Copernicus nuk do të thotë se Zvicra humbet aksesin në të dhënat e tij. Pjesa më e madhe e të dhënave klimatike bruto është falas dhe autoritetet zvicerane i përdorin tashmë, ndër të tjera, për monitorimin kombëtar të thatësirës dhe rreziqeve natyrore.
Çdo pesë ditë, satelitët e Copernicus skanojnë sipërfaqen e Tokës dhe mund të matin, për shembull, mënyrën se si bimësia reflekton dritën infra të kuqe. Në këtë mënyrë mund të dallohet stresi që thatësira po shkakton te pyjet edhe përpara se ndryshimet të bëhen të dukshme në ngjyrën e gjetheve.
Por ajo që Zvicra humbet është e drejta për të ndikuar në zhvillimin e ardhshëm të programit. Duke mos qenë anëtare, ajo nuk mund të marrë pjesë në përcaktimin e metodave të matjes, standardeve, të dhënave që do të mblidhen apo mënyrës se si do të ndërtohen shërbimet e reja.
Kjo ka rëndësi të veçantë për një vend alpin. Nëse do të merrte pjesë në Copernicus, Zvicra mund të kërkonte që sistemi të përshtatej më shumë me nevojat specifike të Alpeve, monitorimin e akullnajave dhe lëvizjeve të maleve, në një kohë kur ndryshimet klimatike po shtojnë rrezikun nga fenomene të tilla.
Vendimi ka edhe një kosto ekonomike. Copernicus shpërndan rregullisht kontrata për teknologji satelitore, programe kompjuterike dhe aplikacione të krijuara mbi bazën e të dhënave të tij. Si rregull, kompanitë dhe institucionet kërkimore zvicerane, duke qenë jashtë programit, nuk mund të konkurrojnë për këto kontrata.
Një studim i porositur nga qeveria zvicerane vlerëson se kompanitë e vendit humbasin në këtë mënyrë rreth 35 milionë franga kontrata çdo vit. Pra, ndërsa anëtarësimi vlerësohet në rreth 48 milionë franga në vit, mosanëtarësimi shoqërohet me humbjen e dhjetëra milionë frangave në mundësi biznesi, pa llogaritur përfitimet shkencore dhe teknologjike.
Qeveria ka vendosur të mos marrë pjesë as në periudhën e ardhshme të programit, 2028–2034, ndërsa çështja pritet të rishikohet në vitin 2032.
Debati politik, megjithatë, nuk është mbyllur. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi në qershor një mocion që i kërkon qeverisë të nisë negociatat për pjesëmarrjen e Zvicrës në Copernicus. Tashmë i takon Senatit të vendosë nëse do ta mbështesë këtë kërkesë.

Burimi: SWI





