Bullgaria është shpallur fituese e Eurovision Song Contest 2026, duke marrë për herë të parë në histori trofeun e festivalit më të madh europian të muzikës. Fitorja erdhi falë këngëtares 27-vjeçare Dara dhe këngës së saj “Bangaranga”, e cila elektrizoi skenën e Vjenës me ritme moderne të ndërthurura me elementë të folklorit bullgar.
Kënga fituese u përshkrua nga vetë artistja si “muzikë pop me rrënjë folklorike” dhe u frymëzua nga rituali tradicional bullgar “kukeri”, ku burra të maskuar me kostume leshi dhe zile dalin nëpër fshatra për të larguar të keqen. Vetë fjala “Bangaranga” u kthye në një nga kuriozitetet e mbrëmjes, ndërsa Dara shpjegoi se simbolizon “një energji të brendshme që të bën të ndihesh se gjithçka është e mundur”.
Finalja e madhe e jubileut të 70-vjetorit të Eurovisionit u mbajt në Wiener Stadthalle të Vjenës, përpara rreth 10 mijë spektatorëve dhe me mbi 100 milionë teleshikues në të gjithë botën. Në garë morën pjesë 25 shtete finaliste.
Izraeli u rendit i dyti me këngën “Michelle”, interpretuar nga Noam Bettan, ndërsa Moldavia dhe Rumania shënuan rikthimin e tyre në festival pas mungesës në edicionet e fundit.
Shqipëria, e përfaqësuar nga Alis me këngën “Nân”, e mbylli garën në vendin e 13-të. Performanca shqiptare u vlerësua pozitivisht për vokalin dhe interpretimin emocional, megjithëse nuk arriti të futet mes vendeve kryesuese.
Edicioni i këtij viti u shoqërua edhe me polemika politike. Irlanda, Spanja, Holanda, Islanda dhe Sllovenia bojkotuan festivalin për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, ndërsa në qendër të Vjenës u zhvilluan protesta pro-palestineze kundër pranisë izraelite në garë.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar u rendit e fundit në finale me artistin “Look Mum No Computer” dhe këngën “Eins, Zwei, Drei”, duke mos marrë asnjë pikë nga televotimi i publikut. Edhe Belgjika dhe Gjermania mbetën me zero pikë nga publiku europian.
Ky triumf i Bullgarisë konsiderohet historik, pasi vendi mori pjesë për herë të parë në Eurovision në vitin 2005 dhe nuk kishte arritur kurrë më parë të fitonte trofeun e madh.








