Një 60-vjeçar danez ka ngritur padi kundër kompanisë OpenAI në një gjykatë të San Franciskos, pasi pretendon se këshillat e gabuara ligjore të ChatGPT e çuan drejt humbjes së banesës. Burri thotë se inteligjenca artificiale e kishte siguruar vazhdimisht se mund të ndërpriste pagesën e qirasë dhe se dëbimi nga shtëpia ishte “ligjërisht i pamundur”. Por në fund, ai mbeti i pastrehë dhe u detyrua të flinte për javë të tëra në makinë, së bashku me dy qentë e tij.
Klaus Elmfelt Aerenlund e ka paraqitur padinë në Gjykatën e Lartë të Qarkut të San Franciskos, në Kaliforni, duke kërkuar dëmshpërblim për pasojat financiare dhe psikologjike që pretendon se i janë shkaktuar.
Gjithçka nisi nga një mosmarrëveshje me pronarin e apartamentit ku jetonte në Danimarkë. Pronari i kishte kërkuar të largonte njërin prej dy qenve nga banesa, por 60-vjeçari nuk dëshironte të ndahej prej tyre.
Për të kuptuar të drejtat e tij, ai iu drejtua ChatGPT-së, duke zhvilluar më shumë se 600 orë biseda me modelet GPT-4o dhe GPT-5.
Sipas pretendimeve të paraqitura në padi, ChatGPT e kishte siguruar se legjislacioni danez për qiratë ishte plotësisht në anën e tij dhe se ai kishte të drejtë të ndërpriste pagesat, pa rrezikuar të humbiste banesën.
Madje, sistemi i inteligjencës artificiale i kishte thënë se dispozitat ligjore ishin “100% të qarta” në favor të tij dhe se dëbimi ishte “ligjërisht i pamundur”.
ChatGPT i kishte përgatitur edhe një letër zyrtare për pronarin, përmes së cilës 60-vjeçari njoftonte se nuk do të paguante më qira derisa të zgjidhej mosmarrëveshja për qentë.
Duke u mbështetur te këto këshilla, Aerenlund ndërpreu pagesën e qirasë për tre muaj radhazi.
Por situata mori një tjetër drejtim. Pronari nisi procedurat ligjore dhe në qershor 2026 autoritetet zbatuan vendimin për dëbimin e tij nga apartamenti.
Pa një banesë ku të qëndronte, 60-vjeçari kaloi disa javë duke fjetur në makinë me dy qentë. Më vonë arriti të gjente strehim të përkohshëm në një kabinë të vogël në një kamping.
Megjithatë, padia nuk kufizohet vetëm te këshillat për qiranë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, burri kishte krijuar një varësi të fortë emocionale nga ChatGPT, të cilin gradualisht kishte filluar ta konsideronte mik personal, këshilltar ligjor dhe madje partner biznesi.
Ai pretendon se sistemi shpesh i jepte të drejtë me siguri të plotë, edhe kur informacionet ishin të pasakta.
Kur 60-vjeçari filloi të dyshonte për disa nga përgjigjet, ChatGPT, sipas padisë, e kishte siguruar se nuk po përjetonte ide të shkëputura nga realiteti, por thjesht ishte “një hap përpara të tjerëve”.
Në dokumentet gjyqësore përmenden edhe pretendime të tjera të pazakonta. ChatGPT dyshohet se i kishte thënë se një ekip i brendshëm shitjesh po punonte për të tregtuar produktet e tij dhe për të ndërtuar një biznes me vlerë miliarda dollarë.
Madje, gjatë bisedave, sistemi i kishte hartuar plane financiare për pushime ndërkombëtare, pajisje të shtrenjta shtëpiake dhe banesa luksoze në Nju Jork.
Aerenlund pretendon se këto komunikime krijuan pritshmëri jorealiste dhe e shtynë të mbështetej gjithnjë e më shumë te përgjigjet e inteligjencës artificiale.
Në padinë e tij, ai kërkon një shumë ende të papërcaktuar dëmshpërblimi për humbjet ekonomike, shqetësimet emocionale, përkeqësimin e depresionit dhe izolimin shoqëror.
Por 60-vjeçari kërkon edhe diçka tjetër: që gjykata ta detyrojë OpenAI të vendosë masa më të forta sigurie, për të parandaluar dhënien e këshillave të pasakta ligjore dhe përforcimin e bindjeve jorealiste të përdoruesve.
Rasti konsiderohet ndër paditë e para në Shtetet e Bashkuara ku një person e lidh drejtpërdrejt humbjen e banesës dhe mbetjen i pastrehë me këshillat e gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Pretendimet e 60-vjeçarit mbeten për t’u shqyrtuar nga gjykata, bashkё me përgjegjësinё ligjore tё OpenAI.





