Ballkani ka pasur gjithmonë një aftësi të veçantë për të prodhuar brenda pak ditësh histori politike që, po t’i dëgjoje pa emrat e vendeve, mund t’i merrje për satirë. Por këtë javë rajoni duket sikur ka vendosur të konkurrojë me vetveten.
Kosova ka një presidente të re, Justina Shiroka-Pulën; Serbia drejtohet përkohësisht nga Ana Brnabić, gruaja e parë haptazi homoseksuale që ushtron detyrën e kreut të një shteti ballkanik; Bosnjë-Hercegovina sapo ka zgjedhur presidencën e saj me tre anëtarë, dy prej të cilëve gra; ndërsa Tirana ka futur në politikën ballkanike edhe Inteligjencën Artificiale: kryebashkiaku ndodhet në paraburgim, por avatari i tij vazhdon të komunikojë me qytetarët.
Në Kosovë, pas një nate të gjatë politike dhe vetëm pak përpara skadimit të afatit kushtetues, Kuvendi zgjodhi presidente Justina Shiroka-Pulën. Ekonomistja dhe akademikja 72-vjeçare mori 81 votat e nevojshme në Kuvend, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme. Ajo bëhet gruaja e tretë Presidente e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit.
Shiroka-Pula vjen nga një karrierë e gjatë akademike, por politika nuk është territor i panjohur për të: ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave dhe deputete e PDK-së, ndërsa përpara zgjedhjes në Presidencë drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Zgjedhja e saj ka edhe një veçanti tjetër për Kosovën: Shiroka-Pula i përket komunitetit katolik, duke u bërë e para presidente e Kosovës nga ky besim.
Ndërkohë, Serbia ka prodhuar precedentin e vet. Pas dorëheqjes së Aleksandar Vuçiç më 27 shtator, detyrën e Presidentit e mori kryetarja e Parlamentit dhe ish-kryeministrja Ana Brnabić. Ajo nuk është zgjedhur presidente me votë: sipas ligjit serb, si kryetare e Kuvendit ushtron përkohësisht funksionet e kreut të shtetit, për një periudhë që nuk mund të kalojë tre muaj.
Por Brnabić sjell një tjetër rekord në historinë politike të rajonit. Ish-kryeministrja e Serbisë është publikisht lesbike dhe është bërë personi i parë haptazi homoseksual që ushtron funksionin e kreut të shtetit në Ballkan. Brnabić ka bërë histori edhe në vitin 2017, kur u bë kryeministrja e parë grua e Serbisë dhe e para drejtuese e qeverisë serbe haptazi homoseksuale.
Bosnja, nga ana tjetër, nuk ka nevojë të shpikë ndonjë risi për të hyrë në këtë panoramë. Ajo vazhdon me formulën që për pjesën tjetër të botës tingëllon e pazakontë: një shtet me tre presidentë.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 4 tetorit, Presidencën trepalëshe do ta përbëjnë Denis Bećirović si përfaqësues boshnjak, Darijana Filipović si përfaqësuese kroate dhe Željka Cvijanović si përfaqësuese serbe. Për herë të parë, dy nga tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës janë gra.
Tre presidentë nuk janë ndonjë eksperiment i ri i Sarajevës. Sistemi vjen nga arkitektura shtetërore e krijuar pas Marrëveshjes së Dejtonit dhe synon përfaqësimin e tre popujve konstituivë. Por e vendosur pranë zhvillimeve të kësaj jave në rajon, Bosnja nuk kishte si të mungonte.
Dhe pastaj vjen Shqipëria, e cila e ka çuar historinë një hap më tej: nga presidentët realë te pushtetari virtual.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej shkurtit 2025 dhe përballet me akuza që ai i kundërshton, është shfaqur para qytetarëve përmes një avatari të krijuar me Inteligjencë Artificiale. Videoja është publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram dhe është shënuar si material i gjeneruar me AI. Në të, Veliaj digjital shfaqet me kostum, përpara flamurit shqiptar dhe atij të Bashkisë, duke folur për projektet e qytetit dhe duke premtuar, mes të tjerash, ushqim falas për nxënësit e shkollave të Tiranës.
Kështu, brenda pak ditësh, Ballkani arriti të prodhojë një kombinim që zor se do të shkruhej më mirë edhe nga një skenarist.
Rajoni ka njohur presidentë kolektivë, qeveri teknike, presidentë të dorëhequr, politikanë nga burgu dhe politikanë që kanë përfunduar në burg.
Na mungonte vetëm pushtetari me AI. Edhe atë e plotësoi Tirana.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






