Po të kesh miqësi me Donald Trump, duket se nuk ka kufij që nuk mund të kapërcehen në Amerikë.
Dana White, dikur bodigard diskotekash, sot është president i UFC-së (Ultimate Fighting Championship), organizatës më të famshme të arteve marciale mikse në botë, që njohu një popullaritet të jashtëzakonshëm edhe gjatë pandemisë.
UFC, Dana White dhe Donald Trump kanë ecur paralelisht, duke ndihmuar dhe promovuar njëri-tjetrin, veçanërisht që prej mandatit të parë presidencial të Trump.
Dana White e mbështeste dhe e promovonte Trump sa herë i jepej mundësia, ndërsa ky i fundit ishte një vizitor i shpeshtë i arenave të UFC-së, ku shfaqej mes duartrokitjeve të publikut, pranë oktagonit të përgjakur.
Miqësia dhe mbështetja e ndërsjellë arritën deri aty sa në qershor të këtij viti u organizua një mbrëmje me ndeshje UFC-je në Shtëpinë e Bardhë. Oborri i rezidencës presidenciale u kthye në një arenë të sporteve luftarake, një spektakël që pak vite më parë do të dukej i paimagjinueshëm.
Por duket se Trump ka vendosur ta shpërblejë mikun e tij edhe më shumë.
Në një postim në rrjetin Truth Social, presidenti amerikan njoftoi se i kishte ofruar Dana White postin e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se të madhit Dana White, një luftëtar i ashpër dhe një luftarak i vërtetë, i është ofruar posti i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë”, shkroi Trump.
Ende nuk dihet nëse White do ta pranojë ofertën apo nëse kemi të bëjmë me një tjetër nga deklaratat e Trump ku politika, spektakli dhe humori përzihen me njëri-tjetrin.
Por një gjë është e sigurt: në Amerikën e Donald Trump, rruga nga oktagoni i UFC-së drejt podiumit të Shtëpisë së Bardhë mund të jetë shumë më e shkurtër sesa mendohej.






