Nga kontrasT.al
Nuk është vetëm një denoncim që raportohet nga brenda Spitalit të Korçës, por një prej tyre, jo më larg se dje, ngre “alarmin e kuq” për sjelljet joetike dhe banalitetin e kthyer në normalitet në këtë institucion shëndetësor.
Denoncimi raporton se raste si ai i mjekut 72-vjeçar të përfshirë në skandalin e ngacmimit seksual nuk janë të izoluara, por pasqyrojnë një klimë të përgjithshme që është kthyer në normalitet brenda këtij spitali juglindor.
“Nё atë ambient mungon totalisht etika profesionale. Në vend të komunikimit normal dhe profesional, dëgjon vetëm banalitet, zhargon rrugësh, shaka me nënkuptime seksuale dhe komente të papërshtatshme në çdo bisedë”, – shkruan denoncuesi nga Korça.
“Kjo sjellje nuk kufizohet vetëm te individë të caktuar, por shtrihet në nivele të ndryshme të personelit, duke përfshirë roje, shoferë ambulancash, infermierë dhe punonjës administrativë.” – theksohet në denoncim.
Sipas tij, komunikimet mes stafit shpesh ngjajnë më shumë me ambiente rrugaçërie sesa me një institucion ku qytetarët drejtohen për shërim dhe ndihmë mjekësore.
“Po të dëgjosh mënyrën si flasin mes tyre, si komentojnë gratë, pacientët apo njerëzit që kanë nevojë për punë, skandalizohesh. Duken më shumë si grupe rrugaçësh sesa staf i një spitali”, – shkruhet me revoltë në denoncim.
“Reporteri” nga Korça pretendon gjithashtu se brenda ambienteve të spitalit ka mungesë të theksuar disipline dhe profesionalizmi, duke shtuar se “shumë prej tyre rrinë duke pirë alkool, duke bërë muhabet rrugësh e duke u sjellë si në kafene, jo në një institucion shëndetësor ku njerëzit vijnë për hall”.
Një tjetër element i rëndë i ngritur prej tij lidhet me heshtjen e përgjithshme përballë këtyre sjelljeve.
“Te gjithë janë në dijeni për ngacmime, abuzime, sjellje skandaloze e padrejtësi, por askush nuk flet. Shumica heshtin nga frika, nga interesi ose sepse këto sjellje janë bërë normale aty brenda”, – përfundon denoncimi.
Ky raportim nga spitali i Korçës ngre pikëpyetje serioze mbi etikën profesionale dhe standardet e sjelljes në një institucion publik shëndetësor, ku qytetarët duhet të gjejnë kujdes, respekt dhe siguri e jo perversitet si ai i gishtave të mjekut “Epstein” nga Korça.
Në të vërtetë, nuk duhet një denoncim për të kuptuar realitetin me të cilin përballen çdo ditë qytetarët shqiptarë në shumë institucione publike, jo vetëm në një spital si ai i Korçës, e jo vetëm në këtë qytet.
Mungesa e etikës, banalizimi i komunikimit dhe abuzimi me funksionin janë kthyer gradualisht në diçka normale, të toleruar dhe të heshtur nga e gjithë shoqëria jonë, e sëmurë ose jo. Filluar nga ajo që “mjekohet” në Tiranë.
Nga Korça në Tiranë dhe në Veri, një detyrë e shenjtë publike dhe humane si ajo që shërbehet nëpër spitale ka harruar të kuptohet nga ata që punojnë atje se nuk është privilegj për të bërë çfarë të duash me qytetarin që ka hall shëndeti dhe jete. Është shpartalluar në ndërgjegjen spitalore “Hipokrati”. Është “pushkatuar” përgjegjësia bashkë me njerëzillёkun.
Spitali shqiptar si ai korçar e ka “futur” njerëzillёkun bashkë me shërbimin që duhet t’i ofrohet qytetarit në një xhep të përparëses së bardhë, ku gjen para, lekë dhe receta ku shkruhet qartë, jo me shkrim “doktori”, vulgariteti. “Kasapët” e spitaleve kanë harruar se ku ndodhen dhe se njeriu atje nuk shkon në momentin më të mirë të jetës së tij. Ai dhe ajo shkojnë atje të lodhur, të frikësuar, të sëmurë, të pambrojtur. Në atë gjendje vulnerabël, përveç mjekimit, ata kanë nevojë për një fjalë të mirë, për një human përballë tyre që ju jep dinjitet, respekt dhe njerëzillёk… e jo vetëm një faturë të nënkuptuar apo të shkruar në recetat e gjithëpranuara të korrupsionit mjekësor.
Gazetari Osman Tafa na ka sjellë para hunde Shqipërinë johumane të spitalit tonë kryesor në kryeqytet. Një denoncues nga qyteti i kulturës vendos para nesh një panoramë të njëjtë që tregon se oktapodi antinjeri i ka shtrirë këmbët e tij kudo, nga veriu në jug. Në gjithë sistemin tonë mjekësor.
Kush po e normalizon këtë asgjësim të mjekësisë sonë? Kush po e vret “Hipokratin” shqiptar?
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






