Europa, në gjendjen e saj aktuale, mund të mos jetë në gjendje të përballojë një luftë të zgjatur konsumimi me Rusinë, ndërsa shqetësimi mes planifikuesve të mbrojtjes po rritet se Moska mund të jetë duke fituar terren në atë që përshkruhet si “lufta hibride” kundër Perëndimit.
Ky ishte një nga paralajmërimet kryesore të ngritura në një forum të organizuar nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut (MSC), ku zyrtarë dhe ekspertë të mbrojtjes diskutuan të ardhmen e koordinimit ushtarak europian dhe pasojat e një reduktimi të mundshëm të angazhimit amerikan në mbrojtjen konvencionale të kontinentit.
Sipas zyrtarëve, problemi nuk lidhet vetëm me armët, municionet apo kapacitetet industriale. Një prej dobësive kryesore konsiderohet mungesa e gatishmërisë së shoqërive europiane për të përballuar një konflikt të gjatë, me kostot ekonomike dhe sociale që ai do të sillte. Për këtë arsye, planifikimi i NATO-s mund të detyrohet të mbështetet te skenarët e një konflikti relativisht të shpejtë.
Një ish-anëtar i kabinetit britanik pranoi se Perëndimi kishte dështuar t’u shpjegonte qytetarëve përmasat e konfliktit hibrid me Rusinë, ndërsa një diplomat britanik kritikoi qeveritë e njëpasnjëshme se nuk kishin bërë mjaftueshëm për të shpjeguar kërcënimin. Kjo, sipas tyre, i ka vendosur qeveritë përpara një dileme të vështirë: t’u kërkojnë qytetarëve më shumë para për mbrojtjen dhe potencialisht më pak shpenzime sociale, pa i pasur më parë të përgatitur për arsyen e këtyre sakrificave.

Shqetësimi shkon përtej një përplasjeje ushtarake tradicionale. Në Europë po diskutohet gjithnjë e më shumë mundësia që Rusia të shfrytëzojë rrjetet sociale, Inteligjencën Artificiale, sulmet kibernetike, bazat e të dhënave dhe infrastrukturën kritike, por edhe pakënaqësitë reale ekonomike e sociale brenda vendeve europiane.
Diskutimi mori peshë të veçantë pas akuzave të qeverisë gjermane ndaj Rusisë për një tentativë sulmi me dron në aeroportin e Leipzigut muajin e kaluar. Një prej personave të dyshuar për incidentin e 4 gushtit, ku shpërtheu një dron i armatosur, është identifikuar si shtetas bjellorus me pasaportë ruse, i cili dyshohet se kishte hyrë në Europë me vizë turistike italiane.
Në të njëjtën kohë, rritja e forcave populiste dhe partive që kërkojnë ndryshimin e politikës ndaj Moskës po shihet si një tjetër sfidë për planet europiane të mbrojtjes. Në diskutimet e MSC-së, ndikimi i zgjedhjeve të ardhshme në vende si Polonia, Franca dhe Italia, si dhe forcimi i AfD-së në Gjermani, u përshkruan si një çështje që Europa nuk mund ta anashkalojë.
Përballë mundësisë që Shtetet e Bashkuara të reduktojnë angazhimin në mbrojtjen konvencionale të Europës, po diskutohet forcimi i bashkëpunimit mes pesë fuqive kryesore ushtarake europiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Grupi E5 i ministrave të Mbrojtjes takohet tashmë rregullisht dhe po shqyrton mënyra për të bashkuar kapacitetet në mbrojtjen ajrore dhe raketore, goditjet precize me rreze të gjatë dhe sistemet satelitore të paralajmërimit të hershëm, fusha ku Europa aktualisht mbështetet në masë të madhe te SHBA-ja.
“Europa po ngec në një moment kur kërcënimet e jashtme po marrin përmasa vërtet shumë serioze”, paralajmëroi Wolfgang Ischinger, kryetar i MSC-së, duke i cilësuar sfidat si ekzistenciale dhe duke kërkuar integrim më të madh në mbrojtje.
Një nga vendet më të shqetësuara për dimensionin e brendshëm të luftës hibride është Italia. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi se vendi përballet çdo ditë me sulme kibernetike dhe paralajmëroi se Italia nuk është e imunizuar ndaj ndërhyrjeve të mundshme ruse në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.
Edhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka paralajmëruar se Europa është e depërtueshme ndaj operacioneve të ndikimit, veçanërisht përmes rrjeteve sociale. Megjithatë, ai pranon se Rusia mund të shfrytëzojë probleme reale, si pagat e ulëta apo lodhja nga kostot e luftës në Ukrainë, ndaj jo çdo pakënaqësi ndaj qeverive europiane mund t’i atribuohet propagandës ruse.
Në këtë debat, Ukraina po shihet gjithnjë e më shumë jo vetëm si përfituese e ndihmës europiane, por edhe si një burim përvoje ushtarake për Europën. Sipas të dhënave të paraqitura në artikull, në Ukrainë prodhohen rreth 200 mijë dronë në muaj, ndërsa objektivi është që prodhimi të kalojë 7 milionë njësi gjatë vitit 2026. Rreth 500 ndërmarrje të vogla dhe të mesme janë ngritur për prodhimin dhe montimin e tyre.
Nëse SHBA-ja redukton praninë dhe angazhimet e saj, Europa do të duhet të marrë mbi vete një pjesë shumë më të madhe të barrës për mbrojtjen e kontinentit, ndërsa sfida nuk është vetëm ndërtimi i kapaciteteve ushtarake, por edhe bindja e shoqërive europiane për kostot që kjo do të kërkojë.





