Anglia mundi Meksikën në stadiumin mitik Acteza me rezultatin 3-2, në një ndeshje dramatike ku ajo mbeti me 10 lojtarë. Ndërsa Norvegjia fitoi bindshëm ndaj Brazilit me lojë perfekte dhe rezultatin 2-1, ku dygolëshi i Haaland e vulosi nofkën e tij “përbindëshi”.
Botërori 2026 njohu edhe dy skuadrat e fundit çerekfinaliste, pas dy sfidave spektakolare të fazës së 1/8-ave. Anglia dhe Norvegjia siguruan biletën për në tetëshen më të mirë të turneut dhe tani do të përballen mes tyre për një vend në gjysmëfinale.
Në stadiumin legjendar Azteca, Anglia përballoi një nga sfidat më të vështira të këtij Botërori. “Tre Luanët” fituan 3-2 ndaj Meksikës, edhe pse luajtën më shumë se gjysmë ore me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Jarell Quansah.
Heroi i ndeshjes ishte Jude Bellingham, i cili realizoi dy gola brenda vetëm dy minutash në pjesën e parë, duke i dhënë epërsinë Anglisë. Meksika reagoi me Julián Quiñones, por Harry Kane riktheu diferencën me një gol nga pika e bardhë. Raúl Jiménez shënoi gjithashtu me penallti për vendasit dhe minutat e fundit u kthyen në një sulm të pandërprerë meksikan, por Jordan Pickford dhe mbrojtja angleze rezistuan deri në vërshëllimën finale.
Në ndeshjen tjetër, Norvegjia shkroi historinë duke eliminuar pesë herë kampionët e botës, Brazilin. Skuadra skandinave fitoi 2-1 falë një paraqitjeje të shkëlqyer kolektive dhe një Erling Haalandi të pandalshëm.
Portieri Ørjan Nyland ishte protagonist absolut në pjesën e parë, duke pritur edhe një penallti të Bruno Guimarães dhe duke mbajtur në lojë Norvegjinë. Kur dukej se sfida po shkonte drejt barazimit, Haaland shpërtheu në 11 minutat e fundit të takimit. Fillimisht realizoi me kokë pas një asistimi perfekt të Andreas Schjelderup, ndërsa në minutën e 90-të shënoi edhe golin e dytë me një finalizim të ftohtë mes këmbëve të Danilos. Penalltia e Neymar në shtesë shërbeu vetëm për të zbutur humbjen e Brazilit.
Me këto rezultate, çerekfinalja Angli–Norvegji premton të jetë një nga duelet më spektakolare të këtij Botërori, përballë dy prej sulmuesve më të mirë të momentit: Harry Kane dhe Erling Haaland. Njëri synon të udhëheqë Anglinë drejt trofeut të parë botëror që nga viti 1966, ndërsa tjetri kërkon të vazhdojë përrallën historike të Norvegjisë në Kupën e Botës.






