Për vite me radhë, krizat e borxhit sovran konsideroheshin një problem kryesisht i ekonomive në zhvillim ose i vendeve më të dobëta të Eurozonës. Por rritja e kostos së huamarrjes në ekonomitë e zhvilluara po ndryshon këtë perceptim dhe, mes vendeve të mëdha, Franca po shihet si një nga pikat më të rrezikuara.
Yield-et e obligacioneve shtetërore, pra interesat që investitorët kërkojnë për t’i dhënë hua një qeverie, po rriten në disa ekonomi me borxh të lartë dhe me pak hapësirë politike për të reduktuar deficitin. Sipas analizës së Euractiv, kur shtrohet pyetja se ku mund të shpërthejë kriza e ardhshme akute e borxhit, Franca veçohet nga ekonomitë e tjera të mëdha.
Rreziku nuk përcaktohet vetëm nga niveli i borxhit publik. Rëndësi ka se kush i blen obligacionet e një vendi, në çfarë monedhe emetohen ato, nëse banka qendrore mund të ndërhyjë dhe, mbi të gjitha, nëse qeveria ka fuqinë politike për të marrë masa kur tregjet kërkojnë disiplinim fiskal.
Kjo e bën rastin francez veçanërisht delikat. Ndryshe nga vende që kontrollojnë plotësisht monedhën dhe bankën e tyre qendrore, Franca është pjesë e Eurozonës dhe vendimet monetare varen nga Banka Qendrore Europiane.
Paralajmërimi është se Parisi dhe Brukseli duhet të veprojnë përpara se ta bëjnë tregjet këtë në vend të tyre. Nëse besimi i investitorëve dobësohet deri në pikën që ata kërkojnë interesa shumë më të larta për të financuar borxhin francez, korrigjimi fiskal mund të mos jetë më një zgjedhje politike, por një masë e imponuar nga tregjet dhe me kushte shumë më të dhimbshme.
Burimi: Euractiv



