Një fshat i vogël malor në ishullin italian të Sardenjës po tërheq vëmendjen e shkencëtarëve për jetëgjatësinë e jashtëzakonshme të banorëve, veçanërisht të grave. Në Bolotana, rreth 14% e grave që arrijnë moshën 70-vjeçare jetojnë deri në 100 vjeç, një përqindje shumë më e lartë se mesatarja italiane dhe ajo e shumicës së vendeve perëndimore.
Zbulimi vjen nga një studim i realizuar nga Universiteti i Sassarit në Sardenjë dhe Universiteti i Alabamës në Birmingham, SHBA, i publikuar në revistën shkencore Frontiers in Aging.
Sipas studiuesve, 13.8% e grave të Bolotanës që mbushin 70 vjeç arrijnë të festojnë edhe 100-vjetorin, duke e renditur këtë komunitet të vogël në vendin e dytë në botë për jetëgjatësinë femërore, pas Hong Kongut. Në Itali, për krahasim, vetëm 3.5% e grave që arrijnë moshën 70-vjeçare jetojnë deri në 100 vjeç.
Sardenja njihet prej kohësh si një nga pesë “zonat blu” të botës, territore ku përqendrimi i njerëzve që jetojnë mbi një shekull është jashtëzakonisht i lartë. Që prej vitit 1999, disa fshatra malore në pjesën qendrore dhe lindore të ishullit janë studiuar për jetëgjatësinë e banorëve, sidomos të burrave.
Por Bolotana, që ndodhet rreth 110 kilometra larg zonës fillestare të jetëgjatësisë, po shfaq një fenomen tjetër: këtu janë gratë ato që dominojnë mes banorëve më jetëgjatë.
Studiuesit analizuan të dhënat e personave të lindur në fshat ndërmjet viteve 1900 dhe 1925 dhe zbuluan se 38 prej tyre kishin jetuar mbi 100 vjeç. Shkalla e jetëgjatësisë rezultoi 57% më e lartë se mesatarja kombëtare italiane.
Në vitin 2025, Bolotana kishte 12 banorë mbi 100 vjeç në një popullsi prej vetëm 2,266 personash, një përqendrim rreth 12 herë më të lartë se mesatarja e Sardenjës. Gjashtë prej tyre kanë ndërruar jetë që atëherë, ndërsa gjashtë të mbijetuarat janë të gjitha gra. Dy më të moshuarat janë 102 vjeçe.
Giovanni Mario Pes, drejtuesi i studimit dhe një nga krijuesit e konceptit të “zonave blu”, tha se ky është zbulimi i parë i një territori të ri të jetëgjatësisë jashtë zonës tradicionale të Sardenjës në më shumë se 25 vjet.
Sipas tij, ajo që e bën Bolotanën të veçantë është se jetëgjatësia e grave është rreth tri herë më e lartë se ajo e shumicës së grave perëndimore.
Megjithatë, shkencëtarët nuk kanë përcaktuar ende arsyet e këtij fenomeni. Studimi është përqendruar në dokumentimin e jetëgjatësisë dhe jo në vërtetimin e faktorëve që e shkaktojnë atë.
Një element që i ka bërë përshtypje Pesit gjatë takimeve me gratë mbi 100 vjeç është forca e marrëdhënieve shoqërore që ato kanë ruajtur gjatë gjithë jetës.
Ai përmendi rastin e Giovanna Marras, 101 vjeçe, e cila jeton me motrën e saj. Të dyja gatuajnë së bashku, bisedojnë dhe vazhdojnë të jenë aktive në jetën e përditshme. Sipas studiuesit, gjatë takimit nuk u vunë re shenja të dukshme të rënies së aftësive njohëse.
Kryebashkiaku i Bolotanës, Francesco Manconi, mendon se jetëgjatësia mund të lidhet me një kombinim faktorësh, si ushqimi i freskët, natyra e paprekur dhe aktiviteti fizik.
Në fshat nuk ka palestër, por të moshuarit tradicionalisht kanë ecur shumë, ndonjëherë deri në 20 kilometra në ditë. Sipas tij, gratë kanë qenë veçanërisht aktive. Dieta vendase përfshin ushqime të freskëta, por edhe ëmbëlsira tradicionale si seada, e mbushur me djathë.
Fenomeni i Bolotanës është pjesë e një prirjeje më të gjerë në Itali, ku numri i personave mbi 100 vjeç është më shumë se dyfishuar që nga viti 2009.
Sipas statistikave zyrtare, në nëntor 2025 Italia numëronte 23,548 banorë të moshës 100 vjeç e lart, rreth 2 mijë më shumë se një vit më parë. Gratë përbënin 82.6% të tyre dhe dominonin gjithashtu në grupmoshat mbi 105 dhe 110 vjeç.
Burimi: The Irish Times






