Gjermania mund të jetë pranë një ndryshimi historik. Pas më shumë se një shekulli, po diskutohet seriozisht mundësia që dyqanet të lejohen të qëndrojnë hapur edhe të dielave, si pjesë e reformave që synojnë të nxisin ekonominë e vendit.
Qeveria e kancelarit Friedrich Merz po kërkon mënyra të ndryshme për të rikthyer ritmin e rritjes ekonomike, duke ndërmarrë reforma në taksa, burokraci, tregun e punës dhe sistemin e mirëqenies sociale. Tani debatit i është shtuar edhe një traditë e rrënjosur prej dekadash: “Sonntagsruhe”, ose pushimi i së dielës.
Në Gjermani, dyqanet janë të mbyllura pothuajse në të gjithë vendin çdo të diel, me përjashtim të kafeneve, restoranteve, pikave të karburantit dhe rasteve të veçanta si panairet apo festat lokale. Ky rregull është i mbrojtur edhe nga Kushtetuta gjermane dhe daton që nga viti 1919.
Megjithatë, bizneset argumentojnë se koha ka ndryshuar.
Drejtuesit e sektorit të tregtisë thonë se konsumatorët tashmë blejnë online edhe të dielave, ndërsa porositë shpesh përpunohen nga magazina jashtë Gjermanisë, sidomos në Poloni. Sipas tyre, ndalimi nuk e pengon tregtinë, por vetëm i penalizon bizneset gjermane.
Ata kërkojnë që vendimi për hapjen ose jo të dyqaneve të dielën t’u lihet vetë sipërmarrësve dhe punonjësve, pa një ndalim të përgjithshëm nga shteti.
Si pjesë e paketës së reformave, qeveria propozon fillimisht një zbutje të kufizuar të rregullave. Furrat e bukës dhe pastiçeritë do të mund të qëndrojnë hapur deri në tetë orë të dielën, nga vetëm tre orë që lejohet aktualisht, ndërsa bibliotekat publike do të kenë orar më të gjatë.
Megjithatë, ideja has në kundërshtime të forta. Kishat, sindikatat dhe një pjesë e madhe e politikës gjermane argumentojnë se e diela duhet të mbetet një ditë pushimi për familjen dhe jetën sociale. Sindikatat paralajmërojnë gjithashtu se liberalizimi mund të rrisë presionin ndaj punonjësve për të punuar edhe në fundjavë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e biznesit theksojnë se ligjet gjermane të punës garantojnë pagesë shtesë dhe ditë pushimi kompensuese për ata që punojnë të dielave, ndërsa shumë punonjës janë të gatshëm ta bëjnë këtë në këmbim të përfitimeve financiare.
Edhe nëse qeveria federale mbështet ndryshimet, vendimi nuk do të jetë i lehtë. Kompetencat për këtë çështje i kanë në masë të madhe landet gjermane dhe disa prej tyre kanë bërë të qartë se nuk do të heqin dorë nga tradita. Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, ka deklaruar se në landin e tij “asgjë nuk do të ndryshojë sa i përket pushimit të së dielës”.
Debati pritet të vazhdojë gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa Gjermania përpiqet të gjejë një ekuilibër mes ruajtjes së traditës dhe nevojës për të nxitur ekonominë.
Burimi: The Telegraph






