Një fenomen i ri po përhapet me shpejtësi në shumë vende të Azisë: gjithnjë e më shumë gra po vendosin t’u japin fund martesave pas dekadash bashkëjetese, duke zgjedhur të divorcohen në të 50-at, 60-at apo edhe më vonë.
Ajo që njihet si fenomeni i “divorceve gri” po shënon rritje në Japoni, Korenë e Jugut, Tajvan, Hong Kong dhe Kinë, duke ndryshuar jo vetëm jetën e mijëra grave, por edhe strukturën sociale të vendeve që po përballen me plakjen e popullsisë.
Një prej tyre është 63-vjeçarja japoneze Eiko Toyama, e cila priti 32 vjet për t’u divorcuar.
Ajo rrëfen se gjatë gjithë martesës kujdesej për shtëpinë, fëmijët dhe njëkohësisht siguronte të ardhura për familjen, ndërsa bashkëshorti kontrollonte pothuajse çdo aspekt të jetës së saj, nga marrëdhëniet shoqërore deri te ambiciet profesionale.
Kur mbushi 60 vjeç, fëmijët ishin rritur dhe nuk kishin më nevojë për të. Atëherë vendosi të largohej.
“Pas divorcit isha vetëm e lumtur. Doja të vrapoja nga gëzimi,” thotë ajo.
Sipas ekspertëve, ky fenomen nuk lidhet vetëm me prishjen e martesave, por edhe me ndryshimin e rolit të grave në shoqëritë aziatike.
Në të kaluarën divorci konsiderohej një turp, sidomos për gratë. Shumë prej tyre vareshin ekonomikisht nga bashkëshortët dhe nuk kishin mundësi reale të largoheshin, edhe kur jetonin në marrëdhënie të palumtura.
Por brezat e rinj të grave kanë studiuar më shumë, kanë hyrë në tregun e punës dhe kanë fituar më shumë pavarësi financiare. Ndërkohë, ndryshimet ligjore në vende si Japonia dhe Koreja e Jugut u kanë garantuar grave një pjesë të pensionit dhe pasurisë së bashkëshortit pas divorcit, duke ua bërë më të lehtë fillimin e një jete të re.
Edhe jetëgjatësia ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit e shohin martesën. Nëse dikur mendohej se vitet e pleqërisë duheshin kaluar me çdo kusht në të njëjtën martesë, sot shumë gra pyesin veten pse duhet të jetojnë edhe 20 apo 30 vite të tjera në një marrëdhënie që nuk i bën të lumtura.
Një histori e ngjashme është ajo e Iman Lau, 50 vjeçe nga Hong Kongu. Pas 14 vitesh martesë dhe tradhtive të vazhdueshme nga bashkëshorti, divorci ishte fillimisht një tronditje.
Por më pas ajo zbuloi një jetë krejt tjetër. Filloi të udhëtonte, të bënte ecje në natyrë, not, kajak, të mësonte piano dhe të krijonte miq të rinj.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që jeta vetëm mund të ishte kaq e bukur,” thotë ajo.
Edhe Toyama e përshkruan jetën pas divorcit si një rilindje. Ajo transmeton drejtpërdrejt në TikTok, këshillon gra të tjera që po përballen me të njëjtat dilema dhe po nis projekte të reja biznesi.
“Për 32 vjet nuk munda të bëja asgjë për veten. Tani mund të bëj gjithçka që dua. Mbi të gjitha, tani ka liri,” shprehet ajo.
Sociologët besojnë se numri i divorceve në moshë të vonë do të vazhdojë të rritet edhe gjatë viteve të ardhshme. Ndërsa dikur divorci shihej si fundi i jetës, sot për shumë gra aziatike ai po shihet si fillimi i një kapitulli të ri.
Burimi: CNN






